Courtois zbulon prapaskenën e eliminimit: “Nuk doja të dilja nga fusha”
- 8 minutes ago
- 1 min read
Eliminimi i Belgjikës nga Kupa e Botës 2026 pas humbjes ndaj Spanjës është shoqëruar me shumë diskutime, veçanërisht për vendimin e trajnerit Rudi Garcia për të zëvendësuar portierin Thibaut Courtois.
Gardiani i Real Madridit ka zbuluar pas ndeshjes se nuk dëshironte të largohej nga fusha, edhe pse kishte ndjerë shqetësim fizik gjatë takimit.
“Ndjeva diçka pas një pasimi të gjatë. Në fillim mendova se ishte vetëm një tension në muskulin e pasëm të kofshës, pas shumë topave të gjatë që kisha goditur. Më pas kuptova se situata po përkeqësohej dhe u ula që të më kontrollonte mjeku”, tregoi Courtois.
Portieri belg tha se besonte se mund të vazhdonte ndeshjen, por trajneri vendosi ndryshe.
“Doja të qëndroja në fushë, por nuk arrija ta godisja topin siç duhet. Trajneri më tha se nëse nuk isha 100 për qind, do të më zëvendësonte. Mendova se duke shmangur pasimet e gjata mund të vazhdoja, por nëse trajneri kërkon një lojtar plotësisht të gatshëm, atëherë është vendimi i duhur”, u shpreh Courtois.
Në vend të tij hyri Senne Lammens, i cili u vu në qendër të kritikave pas një ndërhyrjeje jo të sigurt që i dha mundësi Mikel Merinos të shënonte golin vendimtar për Spanjën.
Megjithatë, Courtois zgjodhi të mbështesë kolegun e tij dhe kërkoi që ai të mos fajësohet për eliminimin.
“Futbolli është kështu. Nuk duhet ta kryqëzojmë. Është një portier shumë i mirë, ka bërë një sezon të shkëlqyer te Manchester United dhe nuk e meriton këtë”, deklaroi numri një i Belgjikës.
“KORÇA BOOM”
















