Redi Dandallaku: Pogradeci fillon përgatitjet, ndërsa tifozët kërkojnë përforcime cilësore
- 1 day ago
- 2 min read
Pogradeci ka nisur zyrtarisht përgatitjet për sezonin e ri, me seancën e parë stërvitore të zhvilluar pasditen e djeshme në stadiumin e qytetit. Nën drejtimin e trajnerëve Çela dhe Kuli, skuadra zbriti në fushë me rreth 20 futbollistë, duke hedhur hapat e parë drejt objektivit madhor, rikthimit në Superligë.
Në stërvitjen e parë u panë edhe afrimet e reja, sulmuesit Zogaj dhe Kambato, si dhe mbrojtësi Geci, ndërsa mungoi mesfushori afrikan Kasume, i cili pritet t'i bashkohet ekipit në ditët në vijim.
Ndërkohë, skuadra ka pësuar edhe disa largime të rëndësishme. Danlandi, Zguro, Pere dhe Toshevski nuk janë më pjesë e Pogradecit, ndërsa Greca është ndarë me klubin pak ditë më parë. Në seancën e parë munguan gjithashtu Pius, Dragoshi, Oliveira, Gjoni dhe Lila, duke lënë të kuptohet se mund të mos jenë pjesë e projektit për sezonin e ri. Sadik Kazim pritet t'i bashkohet grupit më 19 korrik.
Në stërvitje u aktivizuan edhe disa futbollistë të ekipit U-19, megjithatë mbetet për t'u parë nëse ata do të kenë rol të rëndësishëm gjatë sezonit apo do të shërbejnë vetëm për të plotësuar grupin, pasi edhe sezonin e kaluar nuk gjetën hapësirat e nevojshme.
Rreth 30 tifozë ndoqën nga afër seancën e parë stërvitore. Megjithatë, atmosfera nuk ishte plotësisht entuziaste, pasi një pjesë e tyre shprehën hapur pakënaqësinë me merkaton e deritanishme, duke pritur afrime me emra më të njohur nga Kategoria Superiore apo kampionate të huaja.
Tashmë mbetet për t'u parë se si do të vijojë merkato e Pogradecit, në një sezon që pritet të jetë mjaft i fortë, me rivalë si Flamurtari, Besa, Bylis dhe Besëlidhja, të cilët kanë bërë përforcime të rëndësishme.
“KORÇA BOOM”
















