top of page

Mrekulli në Korçë, 68-vjeçari rifiton shikimin pas 6 vitesh në errësirë

  • 1 hour ago
  • 1 min read

Një histori prekëse, por me një fund të lumtur, vjen nga Korça, ku një 68-vjeçar ka rifituar shpresën dhe shikimin pas gjashtë vitesh të jetuara në errësirë.


Trajan Tiliani kishte humbur fillimisht shikimin në njërin sy pas një dëmtimi të pësuar në vendin e punës. Pavarësisht vështirësive, ai vazhdoi të punonte dhe të siguronte jetesën, duke u mbështetur vetëm te shikimi i syrit tjetër.


Me kalimin e kohës, edhe syri i dytë u prek nga glaukoma, duke e lënë 68-vjeçarin plotësisht pa shikim.


Më vunë një kapak”, shprehet ai, duke kujtuar periudhën e vështirë që përjetoi.

Shpresa iu rikthye falë ndërhyrjes së kryer nga kirurgu okulist Ermal Simaku, i cili vendosi të realizojë edhe operacionin në retinë, ndonëse dëmtimi kishte ndodhur gjashtë vite më parë.

“Mund t’i kthehet shikimi 100%, sepse operacioni shkoi shumë mirë”, u shpreh mjeku Simaku.


Sipas tij, pacienti fillimisht iu nënshtrua operacionit për glaukomën dhe më pas u planifikua ndërhyrja në retinë, një procedurë që në kohën kur kishte ndodhur dëmtimi nuk kryhej në spitalin publik.


“Në maj erdhi për të operuar glaukomën. E kryem atë, por planifikuam edhe ndërhyrjen në retinë”, tha okulisti.


Ky rast konsiderohet një sukses jo vetëm për pacientin, por edhe për sistemin shëndetësor publik, pasi ndërhyrjet në retinë u japin mundësi edhe pacientëve që nuk kanë mundësi ekonomike të trajtohen në klinika private.


Përveç përmirësimit të cilësisë së jetës së pacientëve, këto ndërhyrje ndikojnë edhe në uljen e rasteve të personave që përfitojnë pension invaliditeti (KEMP), duke u rikthyer atyre mundësinë për një jetë sa më normale.

“KORÇA BOOM”


bottom of page