Vlora Hyseni përballë GJKKO-së/ Gjykata merr vendimin për ish-drejtoreshën e SHISH
Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest në shtëpi” ndaj ish-drejtores së Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni.
Hyseni mbërriti këtë të enjte në ambientet e GJKKO-së, ku u zhvillua seanca për shqyrtimin e masës së sigurisë të vendosur ndaj saj në kuadër të hetimeve të SPAK.
E shoqëruar nga efektivë të Policisë, ish-drejtoresha e SHISH-it u pyet nga gazetarët lidhur me pretendimet për marrëdhëniet e saj me biznesmenin Ergys Agasi dhe çështjen e informacioneve të klasifikuara, por zgjodhi të mos komentojë.
Sipas njoftimit të GJKKO-së, Hyseni është nën hetim për veprat penale të parashikuara nga nenet 302/2 dhe 295/a/1 të Kodit Penal. Ndaj saj është caktuar masa “arrest në shtëpi”, si dhe pezullimi nga ushtrimi i detyrës.
Çështja është pjesë e një procedimi penal të SPAK-ut, ndërsa hetimet vijojnë. Masat e sigurisë nuk përbëjnë një vendim fajësie dhe Hyseni gëzon prezumimin e pafajësisë deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë.
“KORÇA BOOM”
















