“Emblemë e historisë së humorit shqiptar”/ Lamtumira e fundit për Mane Lumanin
- 5 hours ago
- 1 min read
Humoristi dhe parodisti i njohur vlonjat, Mane Lumani, është përcjellë në banesën e fundit, pas ndarjes nga jeta një ditë më parë si pasojë e një sëmundjeje të rëndë. I vlerësuar me titujt “Mjeshtër i Madh” dhe “Qytetar Nderi” i Vlorës, ai mbetet një nga figurat më të dashura të humorit shqiptar.
Homazhet në nder të tij u zhvilluan në ambientet e Teatri Petro Marko, ku familjarë, miq, kolegë dhe qytetarë të shumtë vendosën lule dhe kryen nderimet e fundit për artistin që për dekada solli buzëqeshje në skenë.
Mes lotësh, kolegët dhe bashkudhëtarët e tij në skenë, Afrim Agalliu dhe Agron Hamo, shprehën ngushëllimet për familjen Lumani, duke theksuar se me largimin e tij shuhet një tjetër nga katër parodistët simbol të Vlorës.
Edhe aktori i njohur Bujar Asqeriu e cilësoi ndarjen nga jeta të Lumanit si një humbje të madhe për artin shqiptar. “U largua nga kjo jetë një prej simboleve të artit, jo vetëm vlonjat, por edhe kombëtar. Një emblemë e historisë së humorit shqiptar”, u shpreh ai.
Ndërsa drejtori i Teatri Petro Marko, Artur Dhamo, e cilësoi ndarjen e tij nga jeta si një humbje të madhe për parodinë shqiptare.
Mane Lumani do të kujtohet si një figurë emblematike e humorit vlonjat, një artist që la pas një trashëgimi të çmuar në historinë e skenës shqiptare.
"KORCA BOOM"
















