Fermerët ngrihen sërish: Bllokadë e re e paralajmëruar në portin e Selanikut
- Korca Boom
- 6 hours ago
- 2 min read
Fermerët grekë pritet të zbarkojnë sot në portin e Selanikut, si pjesë e fazës së dytë të mobilizimeve të tyre protestuese. Sipas informacioneve nga “shtabi” i ngritur në bllokadat e Nea Malgara-s dhe te “Dritat e Gjelbra”, lëvizja drejt portit do të nisë në mënyrë të koordinuar pas orës 10:00 të mëngjesit, me objektiv bllokimin e tij.
Zbritja në port do të kryhet sipas udhëzimeve të Policisë Rrugore, për të shmangur kaosin në trafik. Ende mbetet e paqartë nëse fermerëve do t’u lejohet hyrja në ambientet e ThPA-së, si dhe në cilat pika do të vendosen traktorët apo për sa kohë do të qëndrojnë. Përveç mjeteve bujqësore, pritet pjesëmarrje edhe nga qytetarë të ardhur nga rajone të tjera të vendit.
Ndërkohë, një ditë më parë, fermerët e Kretës zhvilluan një takim me zëvendëskryeministrin Kostis Hatzidakis dhe ministrin e Zhvillimit Rural, Kostas Tsiaras, ku paraqitën kërkesat e tyre. Të dy zyrtarët u zotuan t’i shqyrtojnë kërkesat dhe të adresojnë disa prej tyre, duke theksuar se marrëveshjet me Komisionin Evropian nuk mund të tejkalohen. Palët kanë rënë dakord të takohen sërish sot në orën 11:30.
Kjo javë shënon përshkallëzimin e protestave, ndonëse me tone më të moderuara. Fermerët synojnë t’i dërgojnë qeverisë një mesazh të qartë, por pa e çuar situatën në ekstrem.
Qeveria ka rihapur dritaren e dialogut, duke kërkuar që të gjitha blloqet e fermerëve të përfaqësohen në takimin e sotëm. Nga ana tjetër, përfaqësuesit e fermerëve theksojnë se nuk pranojnë “takime për çaj e simpati”, por kërkojnë garanci konkrete.
Para çdo dialogu, ata kërkojnë shpalljen e një pakete të qartë mbështetëse për sektorin primar, e cila lidhet kryesisht me uljen e kostove të prodhimit. Përfshirë këtu energjinë elektrike bujqësore më të lirë, naftë pa taksa dhe ndërhyrje në çmimet e ulëta të disa produkteve që kanë prekur rëndë të ardhurat e tyre./ Syri.net
“KORÇA BOOM”



















