top of page

Fitore me zemër, Maliqi merr tre pikë të arta ndaj Shkumbinit

  • 16 hours ago
  • 1 min read

Maliqi - Shkumbini 2-1

Shënues: Elmas 82', Lipo 90' / Mwangalalo 58'


KF Maliqi ka marrë një fitore me shumë vlera në fushën e vet përballë KF Shkumbini Peqin, në një ndeshje dramatike që u vendos vetëm në minutat shtesë.


Maliqarët treguan grintë dhe karakter gjatë gjithë takimit, edhe pse u gjendën në disavantazh që në minutën e 58-të. Ishte Mwvangali ai që ndëshkoi vendasit, duke kaluar Shkumbinin në avantazh dhe duke vënë në vështirësi skuadrën e Maliqit, e cila deri në ato momente kishte zhvilluar një lojë të kujdesshme.


Pas golit të pësuar, Maliqi rriti ndjeshëm presionin, duke e zhvendosur lojën pothuajse totalisht në gjysmëfushën kundërshtare. Vendasit sulmuan në çdo sektor, duke kërkuar me ngulm golin e barazimit.


Përpjekjet e tyre u shpërblyen në minutën e 82-të, kur Elmaza arriti të tundë rrjetën dhe të rikthejë baraspeshën në rezultat, duke ndezur entuziazmin në tribunë.


Megjithatë, Maliqi nuk u mjaftua me barazimin. Në minutat e mbetura dhe gjatë shtesës, skuadra vazhdoi të insistojë me sulme të njëpasnjëshme. Kur dukej se ndeshja do të mbyllej në barazim, erdhi momenti vendimtar: në minutat shtesë, Lipo shënoi golin e fitores, duke vulosur përmbysjen dhe duke siguruar tre pikë tepër të çmuara për skuadrën vendase.


Me këtë sukses, Maliqi ngjitet tashmë në vendin e pestë të renditjes, duke u pozicionuar në një zonë më të qetë të tabelës dhe duke rritur ndjeshëm moralin për sfidat e ardhshme.

"KORCA BOOM"


bottom of page