top of page

Fokusi tek pensionistët, rritje me 20 mijë lekë të reja të pagave për efektivët e Policisë, prezantohet pr.buxhetin për vitin 2027

1 hour ago
2 min read

Në Komisionin e Ekonomisë, është prezantuar sot nga ministri i Financave, Petrit Malaj, projekt-buxheti i vitit 2027, i cili është më i larti që ka pasur Shqipëria, prej rreth 10 miliardë eurosh.

Opozita nuk ka marrë pjesë në mbledhjen e Komisionit. Ndërkohë ministri Malaj ka bërë publike prioritetet e Qeverisë për vitin 2027, ku sipas tij, një vend të veçantë zë mbështetja për moshën e tretë.


Malaj tha se për pensionistët do të ketë indeksim të pensioneve në vitin 2027 dhe një bonus në muajin prill, që në total kap vlerën e 40 milionë eurove.


“Pozitat e qëndrueshme të ekonomisë shqiptare janë vlerësuar edhe nga ekonomitë ndërkombëtare të vlerësimit. Një nga prioritetet e buxhetit 2027 do të jetë mbështetja për moshën e tretë. Parashikohet indeksimi i pensioneve dhe afrimi i këtij indeksimi në muajin prill 2027, një politikë që kërkon një fond shtesë nga buxheti të parashikuar në masën 1.35 miliardë lekësh.


Në total, kosto për indeksimin e pensioneve plus afrimin në kohë të këtij indeksimi, i kushton buxhetit të shtetit 40 milionë euro. Do të kemi dyfishim të vlerës së bonusit mujor për pensionistët, duke nisur nga 1 janari 2027, me një kosti 20 miliardë lekësh”, tha mes të tjerash Malaj.


Ministri Malaj tha se Qeveria do të dyfishojë pagesat për fëmijët me aftësi të kufizuara dhe do të njohë sigurimet shoqërore e shëndetësore të kujdestarëve të tyre.


Fëmijët do të mbështeten financiarisht deri në moshën 5-vjeçare, ndërkohë që prioritet sipas Malajt do të ketë edhe arsimi.


“Dyfishim i pagesave për fëmijët me aftësi të kufizuara dhe njohja e kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore për kujdestarët e tyre.


Do të vijojmë me bonusin e bebeve, përmes mbështetjes mujore deri në moshën 5 vjeç, ku vlera do të rritet progresivisht përmes fëmijës së parë, të dytë dhe të tretë. Për vitin 2027, vetëm për mbrojtjen sociale, financimi nga Buxheti i Shtetit arrin në masën e 279.7 miliardë lekë, ose rreth 30% e shpenzimeve të përgjithshme buxhetore.


Arsimi do të vijojë të jetë një investim i drejtpërdrejtë i kësaj qeverie për të ardhmen e vendit. 1.1 miliardë lekë shkojnë për rritjen e bursave për studentët në nevojë”, shtoi Malaj.

Në përfundim ministri Malaj theksoi se mbështetje të veçantë do të ketë edhe për Shëndetësinë dhe rendin e sigurinë.


Ai theksoi se për 8500 efektivë policie që janë në statusin e inspektorit, pagat do të rriten me 20 mijë lekë të reja, ndërsa për të tjerët, nga 10-15 mijë lekë të reja, na varësi të gradave që kanë.


“Mbështetje të veçantë edhe për Shëndetësinë. Siguria dhe rendi mbeten një tjetër pjesë e rëndësishme e prioriteteve të kësaj qeverie. Buxheti parashikon financimin e nevojshëm për këtë sektorë dhe një mbështetje shtesë për punonjësit e policisë së shtetit. 3.3 miliardë lekë shtesë shkojnë për pagat e Policisë.


Do të përfitojnë rreth 8500 punonjës që kanë kategorinë inspektorë, ku paga e tyre bazë do të rritet me 20 mijë lekë të reja apo 200 mijë lekë të vjetra. Kategoritë e tjera do të përfitojnë një pagë shtesë nga 10 deri në 15 mijë lekë në bazë të gradave që ata kanë”, përfundoi ministri Malaj.


Ai tha gjithashtu se 1.3 miliardë lekë do të akordohen në vitin 2027 edhe për strehimin.

“KORÇA BOOM”


bottom of page