top of page

Ndryshon bonusi i bebes, qeveria parashikon pagesa mujore deri në 10 mijë lekë për fëmijët deri në 5 vjeç

1 hour ago
2 min read

Projektbuxheti i vitit 2027 parashikon një skemë të rishikuar të bonusit të bebes, me mbështetje mujore nga 5 mijë deri në 10 mijë lekë. Masa synon të mbështesë familjet gjatë viteve të para të rritjes së fëmijëve, ndërsa kriteret e përfitimit dhe mënyra e zbatimit mbeten për t'u sqaruar.


Bonusi i bebes pritet të ndryshojë mënyrën e dhënies, duke kaluar nga mbështetja financiare në momentin e lindjes drejt një skeme pagesash mujore për fëmijët deri në moshën pesëvjeçare.


Ndryshimi parashikohet në relacionin e projektbuxhetit të vitit 2027, ku qeveria ka përfshirë një politikë të rishikuar për mbështetjen financiare të familjeve me fëmijë të vegjël.


Sipas dokumentit të Ministrisë së Financave, skema e re parashikon pagesa mujore që variojnë nga 5 mijë deri në 10 mijë lekë për fëmijët e grupmoshës 0–5 vjeç. Skema do të nisë zbatimin nga 1 korriku 2027.


Kjo përbën një ndryshim të rëndësishëm në mënyrën e konceptimit të bonusit të bebes. Ndërsa skema aktuale është ndërtuar mbi një pagesë të vetme pas lindjes së fëmijës, modeli i parashikuar në projektbuxhet synon ta shpërndajë mbështetjen financiare përgjatë viteve të para të jetës.


Nëse zbatohet sipas këtij parashikimi, mbështetja nuk do të përqendrohet vetëm në shpenzimet fillestare që shoqërojnë ardhjen në jetë të një fëmije, por do të shtrihet edhe gjatë periudhës kur familjet përballen me kostot e përditshme të ushqimit, kujdesit dhe rritjes së tij.


Në terma vjetorë, një pagesë mujore prej 5 mijë lekësh do të përkthehej në 60 mijë lekë mbështetje, ndërsa një pagesë prej 10 mijë lekësh do të arrinte në 120 mijë lekë në vit, për një fëmijë që përfiton gjatë të gjithë 12 muajve.


Po ashtu parashikohet që për fëmijën e dytë pagesa të jetë 7 mijë lekë në muaj apo 84 mijë lekë në vit dhe për të tretin 10 mijë lekë në muaj po 120 mijë lekë në vit.


Megjithatë, këto janë përllogaritje mbi vlerat mujore të përmendura në relacion dhe jo shuma përfundimtare të garantuara për çdo familje. Dokumenti nuk përcakton në pjesën përkatëse se si do të diferencohen pagesat, nëse ato do të varen nga mosha e fëmijës, numri i fëmijëve në familje apo nga kritere të tjera.

“KORÇA BOOM”


bottom of page