top of page

"Gjoba deri në 500 mijë lekë për protestuesit e dhun'shëm", Rama lajmëron masa drastike

55 minutes ago
4 min read

Kryeministri Edi Rama ka prezantuar paketën e re ligjore kundër dhunës, e cila përbëhet nga gjashtë instrumente që synojnë dëmshpërblimin e bizneseve të dëmtuara, riparimin e dëmeve nga aktet e dhunës dhe forcimin e masave ligjore për tubimet e dhunshme.


Paketa përfshin një akt normativ për dëmshpërblimin e menjëhershëm të bizneseve të vogla, një ligj të posaçëm për riparimin e dëmeve, ndryshime në ligjin për tubimet, krijimin e një regjistri elektronik për dhunuesit urbanë, ndryshime në kodin e etikës së mësuesve dhe propozime për ndryshime në Kodin Penal.


Sipas Ramës, përmes aktit normativ, shteti do të mbulojë nga 100% të dëmeve materiale për bizneset më të vogla deri në të paktën 70% për bizneset më të mëdha, brenda kategorisë së subjekteve me xhiro vjetore deri në 140 mijë euro. Kjo masë synon të shmangë pritjen e gjatë të proceseve gjyqësore për dëmshpërblimin.


Kryeministri bëri të ditur se personat që kanë shkaktuar dëme përmes thyerjeve, grabitjeve dhe zjarrvënieve do të paguajnë pjesën përkatëse të gjobës, ndërsa për dëmet e shkaktuara nga të miturit, përgjegjësia financiare do t'u kalojë prindërve.


Një tjetër instrument është ligji i ri për riparimin e dëmeve, i mbështetur në parimin “kush thyen, paguan”. Ai do të zbatohet për tubimet në vende publike, qofshin të njoftuara, të ndaluara apo spontane, si dhe për grumbullimet sportive, kulturore dhe festive kur shkaktohen dëme në pronën publike ose private.


Rama theksoi se përgjegjësia financiare nuk do të lidhet thjesht me pjesëmarrjen në një protestë, por me sjelljen individuale. Megjithatë, sipas tij, personat që qëndrojnë në një tubim të dhunshëm edhe pas paralajmërimit të policisë, duke qenë në dijeni të akteve të dhunës që po ndodhin, do të mund të ndëshkohen me gjobë deri në 500 mijë lekë të reja.


Nga ky rregull do të përjashtohen gazetarët, mjekët, vëzhguesit, punonjësit që janë në krye të detyrës dhe kalimtarët e rastësishëm.


Për pjesëmarrjen e të miturve mbi 14 vjeç në protesta të dhunshme, sipas paketës së prezantuar, gjobën do ta paguajnë prindërit.


Kryeministri argumentoi se masat synojnë të mos e lënë më barrën e dëmeve vetëm mbi buxhetin e shtetit dhe taksapaguesit, por t'ua ngarkojnë financiarisht personave përgjegjës për aktet e dhunshme


Edi Rama: Paketa përbëhet nga gjashtë instrumente që plotësojnë njëri-tjetrin. Një akt normativ për dëmshpërblimin e menjëhershëm të biznesit të vogël, një ligj i posaçëm për riparimin e dëmeve, disa ndryshime në ligjin për tubimet, një regjistër elektronik i posaçëm për dhunuesit urbanë, një ndryshim në kodin e etikës së mësuesve dhe disa propozime për ndryshime në kodin penal të Republikës së Shqipërisë. Instrumenti i parë, akti normativ për dëmshpërblimin e menjëhershëm të biznesit të vogël. Ky akt vjen si mbështetje e menjëhershme financiare për ata që u dëmtuan nga thyerjet, grabitjet, zjarri. Me këtë akt, shteti do të mbulojë nga 100% të dëmeve materiale për më të vegjlit deri te minimumi 70% për më të mëdhenjtë.


Natyrisht në bazë kriteresh të mirëpërcaktuara dhe gjithnjë brenda fashës së bizneseve me xhiron vjetore deri në 140,000 euro. Kështu bizneset, të cilat i kanë depozituar tanimë aplikimet e tyre bashkëngjitur dokumentacionin e dëmeve pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, nuk do të presin me vite proceset gjyqësore për dëmshpërblimin e tyre. Nga ana tjetër, ata që u përfshinë në ato akte ku thyen, shkatërruan, dogjën dhe dëmtuan bizneset dhe për të cilat gjykata e vlerësoi të ligjshëm arrestimin, do të paguajnë secili pjesën e vet të gjobës për dëmet e shkaktuara.


Për dëmet e shkaktuara nga të miturit, përgjegjësia për mbulimin e pjesës së dëmit kalon te prindërit. Instrumenti i dytë, ligji i ri sipas modelit francez: 'kush thyen, paguan'. Nëse akti normativ adreson dëmet e të kaluarës së afërt, ligji i ri që kemi hartuar për riparimin e dëmeve të shkaktuara nga aktet e dhunës dhe dëmtimit të pronës gjatë tubimeve, krijon themelin e qëndrueshëm për të ardhmen. Mbi parimin e thjeshtë: kush shkakton dëm, e paguan.


Ku barra nuk bie më ekskluzivisht mbi taksapaguesit dhe buxhetin e shtetit, si deri më sot. Ligji zbatohet për të gjitha tubimet në vende publike, të njoftuara, të ndaluara ose spontane, përfshirë grumbullimet sportive, kulturore dhe festive ku vijnë si pasojë dëme materiale të pronës publike apo private. Natyrisht, me asnjë dyshim, askush nuk paguan dëmin pse ka protestuar apo ka qenë i pranishëm në një grumbullim të çfarëdo natyre. Kjo përgjegjësi për të paguar dëmin e shkaktuar lind vetëm nga sjellja vetjake e personit. Dhe ky ligj nuk e kufizon lirinë e tubimit dhe të shprehjes. Por ama nga ana tjetër, çdo person që merr pjesë në një tubim të dhunshëm dhe nuk largohet pas paralajmërimit të policisë, do të përgjigjet financiarisht. Pra, kush zgjedh të vazhdojë të qëndrojë në një turmë apo në një grup duke.


Çdo person që merr pjesë në një tubim të dhunshëm dhe nuk largohet pas paralajmërimeve të policisë, do të përgjigjet financiarisht. Pra, kush zgjedh të vazhdojë të qëndrojë në një turmë apo në një grup, duke e ditur që rreth tij po gjuhet me gurë, po digjet me zjarr, po thyhet dhe po shkatërrohet, do të përgjigjet administrativisht, përmes gjobës, bashkë me ata që i kryejnë veprimet e dhunshme dhe gjoba do të shkojë deri në 500,000 lekë të reja. Përjashtohen sigurisht nga ky rregull gazetarët, mjekët, vëzhguesit, nënpunësit në detyrë, apo kalimtarët e rastësishëm. Për pjesëmarrjen e të miturve mbi 14 vjeç në një protestë të dhunshme, këtë gjobë do ta paguajnë prindërit.

“KORÇA BOOM”


bottom of page