Helmimi tek Akademia e Sigurisë/ Shkon në 64 numri i studentëve të helmuar. Pista ku po heton Prokuroria
- 1 day ago
- 1 min read
Ka shkuar në 64 numri i studentëve që dyshohet se janë helmuar pas konsumimit të ushqimit të shpërndarë në Akademinë e Sigurisë. Pas 60 rasteve të raportuara fillimisht, edhe katër kursantë të tjerë janë paraqitur në urgjencë me të njëjtat simptoma.
Policia dhe Prokuroria e Tiranës po vijojnë hetimet për të zbardhur shkaqet e ngjarjes. Sipas burimeve, dosja e këtij rasti pritet të bashkohet me hetimin për episodin e helmimit të ndodhur në fillim të muajit maj.
Në qendër të hetimeve mbetet kompania SORI-AL, e cila furnizon Akademinë me ushqim përmes shërbimit të kateringut. Ndërkohë, verifikimet e Prokurorisë janë shtrirë edhe te Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU), për të përcaktuar nëse institucioni ka kryer kontrolle të tjera në ambientet e kompanisë pas rikthimit të aktivitetit të saj në Akademi gjatë dy muajve të fundit.
Po gjatë kësaj të premteje pritet të merret në pyetje administratorja e kompanisë, Alma Tafani, e cila hetohet në gjendje të lirë që prej rastit të parë të helmimit.
Grupi hetimor është gjithashtu në pritje të rezultateve të analizave laboratorike të mostrave të ushqimit të marra nga AKU. Këto analiza pritet të ndihmojnë në përcaktimin e shkakut të helmimit të 64 studentëve.
Vetëm 1 muaj më parë, u helmuan 52 studentë që kishin konsumuar ushqimin e ardhur nga kateringu i ‘SORI-AL’. Nga mostrat e marra për analizë, rezultoi se makaronat ishin të kontaminuara me bakteret Escherichia coli dhe stafilokok.
Deri në fund të vitit 2025, kompania Sori-Al rezulton si fituese e 75 tenderave publikë, me vlerë totale 4.2 miliardë lekë.
"KORÇA BOOM"
















