Hoqi dorë nga Botërori, kush mund ta zëvendësojë Iranin? Precedentët e rrallë në historinë e futbollit
- 2 hours ago
- 2 min read
Kombëtarja e Iran nuk do të marrë pjesë në Botërori 2026, e cila do të zhvillohet këtë verë në SHBA, Meksikë dhe Kanada, theksoi ministri iranian i sportit.
Vendimi ishte vënë në pikëpyetje pas konfliktit që shpërtheu javët e fundit në Lindjen e Mesme, por konfirmimi erdhi nga ministri iranian i sportit, Ahmad Donyamali, gjatë një interviste për televizionin shtetëror.
“Meqenëse kjo qeveri e korruptuar vrau udhëheqësin tonë (Ali Khamenei), ne nuk kemi ndërmend të marrim pjesë në Kupën e Botës,” deklaroi Donyamali.
Kush mund ta zëvendësojë Iranin?
Rregullorja e FIFA-s nuk jep një përgjigje të qartë për këtë situatë. Sipas nenit 6.7, organizata ka të drejtë të vendosë sipas gjykimit të saj për rastet kur një federatë tërhiqet nga turneu dhe mund të zgjedhë një tjetër ekip për ta zëvendësuar.
Një nga opsionet e para që përmendet është kombëtarja e Irakut, e cila mund të përfitojë nga situata nëse nuk arrin të sigurojë kualifikimin përmes fazës eliminatore. Iraku pritet të përballet me fituesin e ndeshjes mes Bolivisë dhe Surinamit më 31 mars.
Probleme logjistike për Irakun
Megjithatë, edhe pjesëmarrja e Irakut mbetet e pasigurt. Ndeshja e fazës eliminatore është planifikuar të zhvillohet në Monterrey, por situata e sigurisë dhe problemet logjistike mund ta komplikojnë udhëtimin e ekipit.
Së fundmi janë shfaqur shqetësime edhe për shkak të mbylljes së hapësirës ajrore të Irakut, pas tensioneve të luftës në Lindjen e Mesme. Federata irakiane ka kërkuar tashmë shtyrjen e ndeshjeve për shkak të vështirësive për të udhëtuar drejt Meksikës.
Nëse Irani tërhiqet zyrtarisht përpara fazës eliminatore në fund të marsit, FIFA mund të vendosë që Iraku të kualifikohet direkt, ndërsa vendi i tij në fazën play-off të merret nga Emiratet e Bashkuara Arabe, që është skuadra e radhës në listën e kualifikimit.
Precedentë të rrallë në historinë e futbollit
Raste të ngjashme në futbollin ndërkombëtar janë shumë të rralla. Një precedent i njohur ndodhi në vitin 1992, kur Danimarka zëvendësoi Jugosllavinë në Kampionatin Evropian dhe përfundoi duke fituar turneun.
Në Kupën e Botës raste të tilla janë edhe më të rralla dhe datojnë që nga vitet 1950. Një situatë e ngjashme ndodhi së fundmi në Botërorin e Klubeve 2025, kur klubi meksikan Club Leon u përjashtua për shkak të rregullave të pronësisë së dyfishtë me CF Pachuca. Vendin e tij e mori Los Angeles FC, i cili fitoi një ndeshje play-off ndaj Club América.
Situata aktuale mbetet e paqartë dhe pritet që FIFA të marrë një vendim në javët e ardhshme për mënyrën se si do të plotësohet vendi i mbetur bosh në Kupën e Botës 2026.
“KORÇA BOOM”
















