top of page

Inteligjenca Artificiale krijon ‘bomba’ molekulare kundër kancerit

  • Writer: Korca Boom
    Korca Boom
  • Jul 27
  • 2 min read

Një platformë e re e Inteligjencës Artificiale ka hapur një kapitull të ri në luftën kundër kancerit, duke krijuar për herë të parë molekula të dizajnuara në kompjuter që udhëzojnë sistemin imunitar të sulmojë drejtpërdrejt qelizat kancerogjene.


Studimi i publikuar në revistën shkencore Science tregon se falë kësaj metode, shkencëtarët kanë arritur të modifikojnë përbërësit e proteinave dhe t’i kthejnë qelizat T të sistemit imunitar në “armë të zgjuara” që njohin dhe asgjësojnë qelizat e sëmura.


Molekulat e reja, të quajtura pMHC, krijohen në mënyrë të personalizuar për çdo pacient dhe përshpejtojnë ndjeshëm procesin e trajtimit — nga disa vite kërkimesh në vetëm 4 deri në 6 javë.


“Ne po krijojmë një palë sy të rinj për sistemin imunitar,” tha prof. Timothy P. Jenkins, autor i studimit nga Technical University of Denmark. Ai theksoi se kjo platformë tejkalon kufizimet e metodave ekzistuese, duke prodhuar të dhëna të sakta për të krijuar molekula që shënjestrojnë vetëm qelizat kancerogjene, pa dëmtuar ato të shëndetshme.


Në testet laboratorike, shkencëtarët përdorën molekulën pMHC për të shënjestruar objektivin e njohur të kancerit NY-ESO-1, dhe krijuan një lidhës special që bashkëngjitet me qelizat T. Këto u transformuan në të ashtuquajturat qeliza IMPAC-T, të cilat sulmuan me efikasitet qelizat e sëmura. Metoda u testua edhe në rastin e një pacienti me melanomë në fazë metastazike, duke konfirmuar potencialin për imunoterapi të personalizuar.


Një tjetër element kritik i teknologjisë është kontrolli virtual i sigurisë: IA filtron automatikisht molekulat që mund të kenë efekte anësore në qelizat e shëndetshme, duke minimizuar rrezikun e reagimeve të padëshiruara.


Sipas Jenkins, do të duhen rreth 5 vite që kjo terapi të hyjë në fazat klinike te njerëzit, por skema do të jetë e ngjashme me terapitë aktuale: pacientit i merret gjak, qelizat T përpunohen me ndihmën e IA për të krijuar molekulat e reja, dhe më pas injektohen në trup ku veprojnë si “bomba inteligjente” ndaj kancerit.


Ky është një hap i madh drejt një ere të re të trajtimit të kancerit – më i shpejtë, më i saktë dhe potencialisht më i efektshëm se kurrë më parë.


“KORÇA BOOM”

ree

bottom of page