top of page

Ish-prefekti Nertil Jole: Progresi kërkon më shumë se thjesht emra

  • 2 days ago
  • 2 min read

Partia politike dhe shoqëria


Kërkesa e vazhdueshme e shoqërisë për progres ushqen vullnetin individual dhe kolektiv për t’u organizuar në struktura shoqërore, siç janë partitë politike. Aktivizmi në vetvete është një zgjim i përhershëm i vetëdijes qytetare, sociale dhe politike, që synon marrjen e përgjegjësive përtej interesave të momentit dhe egos personale. Kjo qasje forcon besimin edhe tek ata që nuk janë pjesë aktive e partive.


Ky mision duhet të matet me standarde të qarta. Suksesi nuk qëndron vetëm te shifrat, por mbi të gjitha te cilësia. Kur kjo e fundit arrihet në mënyrë të qëndrueshme, ajo sjell natyrshëm rezultate pozitive edhe në aspektin sasior.


Një nga problemet më të dukshme është shmangia e garës, e cila largon ballafaqimin e hapur – një nevojë dhe pritshmëri legjitime e shoqërisë. Në vend të debatit të drejtpërdrejtë dhe konkurrencës së ideve, shpesh vihet re hezitimi për t’u përballur me qytetarët dhe për të marrë përgjegjësi publike.


Kjo situatë rrezikon të ngadalësojë progresin, në një kohë kur shoqëria ka nevojë për transparencë, guxim dhe përplasje konstruktive mendimesh. Vetëm nëpërmjet debatit të hapur mund të prodhohen alternativa reale zhvillimi.


Iniciativat që i japin zë nevojave dhe pritshmërive në rritje krijojnë një moment të ri, të mirëpritur dhe shpresëdhënës, edhe për vetë forcat politike. Ky është roli thelbësor i një aktivisti: të jetë shprehje e kërkesës për ndryshim dhe progres që buron nga shoqëria.


Megjithatë, besimi ndaj partive politike nuk është i lehtë, sidomos në periudha të tensionuara gjeopolitike. Kjo vështirësohet edhe më shumë kur përfaqësuesit e tyre perceptohen si të konsumuar, jo vetëm nga qytetarët, por edhe nga vetë aktivistët.


Partia Socialiste konsiderohet gjerësisht si një forcë progresiste, por ky vlerësim nuk është i mjaftueshëm për të garantuar ruajtjen e këtij statusi në të ardhmen. Kjo kërkon kurajë për vetëreformim – jo vetëm në emra, por në mendësi dhe sjellje më të hapura dhe të emancipuara.


Qëndrueshmëria në shërbim të së mirës së përbashkët varet nga aftësia për të përfshirë individë me integritet dhe profil politik, që dinë të artikulojnë të vërtetat e kohës me sinqeritet dhe mendje të hapur. Vetëm kështu shmanget stagnacioni, vetëkënaqësia, servilizmi dhe hipokrizia.


Shumica e qytetarëve mund të mos jenë aktivistë, por ata janë gjithmonë vëzhgues vigjilentë.

“KORÇA BOOM”


bottom of page