Ja rruga e re në Murrash, si do të ndryshojë udhëtimi drejt Librazhdit
- 1 day ago
- 1 min read
Kthesat e Murrashit, të vendosura rreth 4 kilometra para qytetit të Librazhdit, përbëjnë një nga segmentet më karakteristike të rrugës në këtë zonë. Rruga automobilistike “gjarpëron” përgjatë luginës, duke ndjekur paralelisht rrjedhën e lumit Shkumbin.
Në këtë zonë ndërthuren elementë të rëndësishëm të infrastrukturës rrugore dhe hekurudhore. Dy tunelet hekurudhore, të njohura si Murrash 1 dhe Murrash 2, shtrihen përgjatë linjës ekzistuese, ku i pari ka një gjatësi prej rreth 920 metrash, ndërsa i dyti rreth 250 metra. Mes tyre ndodhet një urë që kalon mbi lumin Shkumbin, duke krijuar një pamje mjaft të veçantë.
Ndërkohë, në të njëjtin aks është në ndërtim edhe tuneli automobilistik i Koridorit 8, një projekt strategjik që pritet të përmirësojë ndjeshëm lidhjet rrugore dhe të reduktojë kohën e udhëtimit në këtë segment.
Një tjetër element natyror i rëndësishëm në këtë zonë është bashkimi i lumit Rrapun me lumin Shkumbin, pranë vendit të njohur si “Çezma”. Ky burim uji, i vendosur anës rrugës, është një ndalesë e njohur për udhëtarët, të cilët furnizohen me ujë të pijshëm.
Kombinimi i natyrës, infrastrukturës dhe projekteve të reja zhvillimore e bën këtë segment një pikë me interes të veçantë si për udhëtarët, ashtu edhe për zhvillimin ekonomik të zonës.
“KORÇA BOOM”
















