Protesta kombëtare/ 1500 efektivë policie në terren, autobotet me ujë vendosen pranë Kryeministrisë
Rreth 1500 efektivë të Policisë së Shtetit janë dislokuar në terren për mbarëvajtjen e protestës që pritet të nisë në orën 12:00 para Kryeministrisë. Në zonën përreth godinës së qeverisë janë vendosur edhe disa autobote me ujë, të cilat mund të përdoren në rast të përshkallëzimit të situatës.
Kryeministri Edi Rama ndodhet në zyrën e tij në Kryeministri, ndërsa ftesa e tij e pestë për dialog është refuzuar sërish. Disa protestues kanë hequr jastëkët e vendosur jashtë godinës së qeverisë, së bashku me letrat ku shkruhej “dialog”.
Ndërkohë, në orën 14:00 pritet të zhvillohet edhe protesta e studentëve para Ministrisë së Arsimit. Studentët, të cilët sot shënojnë ditën e 12-të të protestës në Tiranë, pritet të mbështeten nga pedagogë dhe përfaqësues të disa profesioneve e organizatave të shoqërisë civile.
Solidaritet me studentët kanë shprehur artistët, punonjësit e medias, inxhinierët, arkitektët dhe sindikatat.
Sindikata e Pavarur e Artit, Kulturës dhe Medias së Shqipërisë ka njoftuar se do të mblidhet në orën 11:00 përpara Kryeministrisë, për t'iu bashkuar më pas tubimit të studentëve pranë Ministrisë së Arsimit.
Sindikata u ka bërë thirrje artistëve dhe punonjësve të kulturës e medias të marrin pjesë në protestë, në shenjë mbështetjeje për studentët, të rinjtë dhe qytetarët.
Edhe inxhinierët dhe arkitektët pritet t'u bashkohen studentëve, ndërsa solidaritet me protestën ka shprehur edhe Sindikata e Bashkuar e Arsimit Shqiptar.
Organizatorët e tubimeve kanë theksuar se angazhimi i tyre nuk lidhet me ndonjë parti politike, por synon të mbështesë qytetarët dhe kërkesat e studentëve. Ata u kanë bërë thirrje qytetarëve të marrin pjesë jo vetëm si profesionistë, por edhe si prindër dhe pjesëtarë të shoqërisë.
Në zonën përreth Kryeministrisë janë konstatuar forca të shtuara policore, ndërsa në momentin e raportimit qarkullimi i automjeteve dhe lëvizja e qytetarëve vijonin normalisht./ Pamfleti
“KORÇA BOOM”
















