top of page

"Ju erdhi fundi”/ Studentët dhe pedagogët protestë sot para Kuvendit, Rama ikën jashtë vendit

2 hours ago
2 min read

Ndërkohë sot në orën 9:00 studentët do të protestojnë para parlamentit. Protestuesve në protestën e 9-të iu bashkuan dje edhe pedagogët, të cilët vendosën bojkotin e mësimit deri në largimin e Ramës.


Kuvendi i Shqipërisë do të zhvillojë sot, në orën 10:00, seancën e radhës plenare, në një klimë të tensionuar politike pas protestave të dhunshme të zhvilluara gjatë ditëve të fundit.


Kjo është seanca e parë parlamentare që nga nisja e protestave, ndërsa vëmendja pritet të përqendrohet te situata e krijuar në vend dhe reagimi i institucioneve përballë zhvillimeve të fundit.


Në qendër të diskutimeve pritet të jetë interpelanca urgjente me ministrin e Punëve të Brendshme, Ervin Demo, e kërkuar nga një grup deputetësh të Partisë Demokratike. Gjatë kësaj interpelance pritet të diskutohet për menaxhimin e protestave, veprimet e Policisë së Shtetit dhe përplasjet e regjistruara ditët e fundit.


Rendi i ditës përfshin gjithashtu dy interpelanca me ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, të kërkuara nga deputetët Ermal Pacaj dhe Tedi Blushi. Ky i fundit ka kërkuar edhe një interpelancë me ministrin e Financave, Petrit Malaj.


Përveç interpelancave, deputetët do të shqyrtojnë disa projektligje, si dhe projektvendimin për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për fazën e dytë të Reformës Administrativo-Territoriale.


Ndërkohë, kryeministri Edi Rama nuk pritet të marrë pjesë në seancë, pasi ndodhet në Budva të Malit të Zi, ku zhvillon një takim zyrtar.


Seanca e sotme pritet të shoqërohet me diskutime mes mazhorancës dhe opozitës, veçanërisht për zhvillimet e fundit politike dhe sociale në vend. Interpelanca me ministrin e Brendshëm pritet të jetë një nga pikat kryesore të debatit parlamentar.


Ndërkohë sot në orën 9:00 studentët do të protestojnë para parlamentit. Protestuesve në protestën e 9-të iu bashkuan dje edhe pedagogët, të cilët vendosën bojkotin e mësimit deri në largimin e Ramës. “Ju erdhi fundi”, “Jep dorëheqjen”, ishin thirrjet e tyre.


Sindikata e Universiteteve shpalli bojkotin e mësimdhënies në të gjitha universitetet publike, në shenjë solidariteti me studentët dhe nxënësit që janë ngritur në protestë, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.


Bojkoti nisi nga dje dhe do të vijojë deri në një njoftim të dytë, ndërsa pedagogët, sikurse ditën e djeshme, do të mblidhen çdo ditë në orën 10:00 para Korpusit Qendror të Universitetit Politeknik.


Pedagogët deklaruan se kjo lëvizje vjen si pasojë e drejtpërdrejtë e dhunës së paprecedentë shtetërore të ushtruar ndaj fëmijëve të tyre. Sipas tyre, dhuna e përdorur nga policia nuk kishte ndodhur kurrë më parë, me efektivë që po thyejnë protokollet profesionale, duke kontaminuar të rinjtë me gaz dhe duke hyrë madje edhe nëpër lokale për të ushtruar dhunë arbitrare. Ata bënë thirrje që studentët të mos pranojnë të dialogojnë, ndërsa shtuan se çdo diskutim i gjerë mbi të ardhmen mund të bëhet vetëm pas dorëheqjes së kryeministrit./ Pamfleti

“KORÇA BOOM”


bottom of page