Kartoni i kuq nuk e ndal Egnatian, kampionët shqiptarë marrin një barazim të vlefshëm
- 40 minutes ago
- 1 min read
Egnatia ka hedhur një hap të rëndësishëm drejt raundit të dytë të eliminatoreve të UEFA Champions League, duke marrë një barazim të vlefshëm 1-1 në transfertë ndaj Petrocub, në ndeshjen e parë të raundit të parë.
Kampionët e Shqipërisë e nisën sfidën në mënyrën më të keqe të mundshme. Vetëm pak sekonda pas startit të takimit, një gabim në prapavijë mes kapitenit Aleksi dhe portierit Dajsinani u shfrytëzua nga Popesku, i cili kaloi vendasit në avantazh.
Megjithatë, skuadra e drejtuar nga Edlir Tetova reagoi me qetësi dhe kërkoi menjëherë golin e barazimit. Përpjekjet u shpërblyen në minutën e 35-të, kur pas një aksioni të bukur të ndërtuar nga Haimes dhe Kryeziu, ishte pikërisht ky i fundit që dërgoi topin në rrjetë për rezultatin 1-1.
Në fundin e pjesës së parë, Egnatia mbeti me 10 lojtarë. Kapiteni Aleksi u ndëshkua fillimisht me karton të verdhë, por pas rishikimit të episodit nga sistemi VAR, arbitri ndryshoi vendimin dhe e ndëshkoi me karton të kuq.
Në pjesën e dytë, Petrocub ushtroi presion të vazhdueshëm, por portieri Alen Sherri Dajsinani u shndërrua në protagonist, duke kryer disa pritje vendimtare që mbajtën në lojë kampionët shqiptarë. Edhe Egnatia krijoi raste për të shënuar golin e fitores, por nuk arriti t’i konkretizojë.
Në përfundim, sfida u mbyll në barazim 1-1, një rezultat që i jep avantazh psikologjik Egnatias për ndeshjen e kthimit.
Takimi vendimtar do të zhvillohet më 15 korrik në Rrogozhinë, ku kampionët e Shqipërisë do të synojnë të sigurojnë kualifikimin për në raundin e dytë të eliminatoreve të UEFA Champions League.
“KORÇA BOOM”













