Kategoria Superiore me ndryshime të mëdha në rregulla/ Kufizohen të huajt dhe hapet hapësirë për të rinjtë
- 2 hours ago
- 1 min read
Kampionati shqiptar i futbollit pritet të vijë me ndryshime të rëndësishme në sezonin e ri, me synim rritjen e konkurrencës dhe zhvillimin e futbollistëve vendas.
Sipas vendimeve të reja, në Kategorinë Superiore do të lejohet aktivizimi i deri në 7 futbollistëve të huaj në fushë, ndërsa klubet do të kenë të drejtë të regjistrojnë maksimumi 9 lojtarë të huaj në total. Ky ndryshim vjen pas një sezoni ku u lejua pa kufizim numri i lojtarëve të huaj në fushë, por që nuk solli rritjen e pritshme të cilësisë së kampionatit.
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm lidhet me rregullin për lojtarët e rinj, ku klubet do të jenë të detyruara të aktivizojnë të paktën një futbollist U-18 për minimumi 45 minuta në çdo ndeshje.
Sipas autoriteteve të futbollit, këto masa synojnë t’u japin më shumë hapësirë lojtarëve të akademive dhe të nxisin zhvillimin e talenteve vendas, duke rritur në të njëjtën kohë edhe cilësinë e kampionatit në afatgjatë.
Gjithashtu, është bërë e ditur se Kosova dhe Maqedonia e Veriut nuk do të llogariten si vende të huaja në këtë kuadër, duke lehtësuar regjistrimin e lojtarëve nga këto shtete.
Federata Shqiptare e Futbollit ka miratuar më herët edhe ndryshime të tjera në formatin e garës, si pjesë e reformës së përgjithshme për modernizimin e futbollit vendas./ Ora news
"KORÇA BOOM"
















