KF Devolli kërkon besim te Adriatik Fasliu: Rezultatet do të ndryshojnë
Klubi i futbollit Devolli ka reaguar pas komenteve dhe mesazheve të shumta të mbërritura nga sportdashësit dhe tifozët, në lidhje me rezultatet e fundit të ekipit.
Në reagimin e publikuar, theksohet se rezultatet e deritanishme nuk kanë qenë në nivelin e pritur, por kërkohet mirëkuptim, pasi largimi i trajnerit të mëparshëm dhe ndryshimet e bëra në skuadër kanë nevojë për kohën e tyre për të dhënë efektin e dëshiruar.
Sipas reagimit, skuadrës i duhet kohë për të krijuar harmoninë e nevojshme dhe për të rikthyer rezultatet pozitive, ndërsa theksohet rëndësia e ruajtjes së qetësisë brenda klubit dhe në radhët e tifozërisë.
Klubi shpreh besimin te trajneri i ri, Adriatik Fasliu, duke vlerësuar përvojën dhe profesionalizmin e tij. Pritshmëritë janë që, me punë dhe përkushtim, ekipi të rikthehet në rrugën e fitoreve dhe të synojë vendin që, sipas klubit, meriton.
Në mesazhin drejtuar tifozëve, kërkohet mbështetje për skuadrën në këtë periudhë të vështirë, si dhe shmangie e spekulimeve nga faqe që, sipas reagimit, nuk kanë lidhje me KF Devollin.
Në përfundim, klubi u bën thirrje sportdashësve që të qëndrojnë pranë ekipit dhe të ruajnë besimin, me bindjen se puna e vazhdueshme dhe përkushtimi mund ta ndihmojnë Devollin të rikthehet te rezultatet pozitive.
“KORÇA BOOM”
















