Korçari Dean Liço nuk ndalet, firmos me një tjetër klub ambicioz në Turqi
- 35 minutes ago
- 1 min read
Mesfushori korçar Dean Liço do të vijojë karrierën në futbollin turk, duke nisur një aventurë të re me Bandırmaspor, skuadër që militon në TFF 1. Lig, kategorinë e dytë të futbollit turk. 26-vjeçari firmosi me klubin në fillim të muajit korrik dhe ka nënshkruar një kontratë të vlefshme deri në verën e vitit 2028.
Pas një sezoni pozitiv me Boluspor, ku u shndërrua në një nga mesfushorët më të rëndësishëm të skuadrës, Liço ka zgjedhur të vazhdojë rrugëtimin e tij në Turqi me një tjetër klub ambicioz. Bandırmaspor beson se futbollisti shqiptar do të sjellë cilësi, eksperiencë dhe stabilitet në repartin e mesfushës.
I formuar në akademinë e Skënderbeut, Dean Liço ndërtoi më pas një karrierë ndërkombëtare, duke kaluar edhe në akademitë e Leganés, Sporting dhe Lazio, ndërsa në futbollin profesionist ka veshur fanellat e Ascolit, Partizanit, Skënderbeut, Iğdır FK dhe Boluspor. Rikthimi te Skënderbeu në vitin 2022 ishte një nga periudhat më të suksesshme të karrierës së tij, ku kontribuoi në rikthimin e bardhekuqve në elitën e futbollit shqiptar.
Me eksperiencën e fituar në Shqipëri, Itali dhe Turqi, Liço synon të konfirmohet si një nga mesfushorët më cilësorë shqiptarë që aktivizohen jashtë vendit. Transferimi te Bandırmaspor përfaqëson një tjetër hap të rëndësishëm në karrierën e tij, ndërsa objektivi mbetet të ndihmojë skuadrën e re në arritjen e synimeve për sezonin e ardhshëm.
“KORÇA BOOM”
















