Korçë/ Mjeshtri i përpunimit të baltës, Vasillaq Kolevica, prezanton instalacionin “Spermatozoidët” si kritikë ndaj shoqërisë shqiptare dhe politikës
- Korca Boom
- 2 hours ago
- 1 min read
Një ndër mjeshtrit e përpunimit të baltës në Korçë, Vasillaq Kolevica, ka zgjedhur një mënyrë të veçantë për të shprehur indinjatën e tij ndaj sjelljes së qytetarëve shqiptarë ndaj politikës, përmes veprës së tij më të fundit, të titulluar “Spermatozoidët”.
Artisti shpjegon se instalacioni simbolizon qytetarët të cilët “dalin jashtë përdorimit” dhe hedhin votën pa reflektuar, duke e konsideruar këtë akt si një pasqyrim të shoqërisë së sotme shqiptare. “Është një instalacion, ‘Spermatozoidët’, por janë të pafekonduar, të shurdhuar. Shikoj këtë popull, pa tru në kokë, i sheh zgjedhjet si një ndeshje futbolli,” shprehet Kolevica.
66-vjeçari, i cili ka një jetë të tërë duke trajtuar baltën dhe duke e kthyer në art, tregon se këtë herë ka realizuar më shumë se një ose dy punime, për të pasqyruar shumicën e shoqërisë shqiptare si të paplotësuar dhe të hedhur kot. Ai thekson gjithashtu vështirësitë e financimit të artit, duke theksuar se artistët shpesh nuk marrin mbështetje për të prezantuar veprat e tyre.
Vasillaq Kolevica njihet si një nga mjeshtrit më të mirë të punimit të baltës në Shqipëri dhe ka fituar çmime kombëtare dhe ndërkombëtare për veprat e tij. Instalacioni “Spermatozoidët” synon të tërheqë vëmendjen e publikut dhe të nxisë reflektim mbi raportin e shoqërisë me politikën.
“KORÇA BOOM”




















