“Bisedoi me engjëjt”, rrëfimi prekës për ditët e fundit të Stavri Shkurtit
- 1 day ago
- 1 min read
Stavri Shkurti mbetet një nga emrat më të mëdhenj të skenës shqiptare, një artist i cili me talentin dhe interpretimet e tij la gjurmë të pashlyeshme në kinematografinë dhe teatrin shqiptar.
Fatkeqësisht, jeta e tij u ndërpre shumë shpejt. Aktori i njohur u nda nga jeta në vitin 1998 në Greqi, ku kishte emigruar pas viteve ’90 së bashku me familjen e tij, bashkëshorten dhe dy djemtë, Dionisin dhe Gjergjin.
Ditët e fundit të jetës së tij mbetën në kujtesën e familjarëve si një moment i dhimbshëm dhe prekës. Bashkëshortja e tij, Florika Shkurti, ka treguar se në spitalin në Greqi, Stavri Shkurti dukej sikur po zhvillonte një “bisedë me engjëjt”, në orët e fundit të jetës së tij.
Por përtej dhimbjes së humbjes, familja e tij ka mbajtur edhe pengje të tjera, mes të cilave edhe mënyrën se si është trajtuar kujtimi i artistit të madh pas ndarjes nga jeta.
Një nga momentet më të dhimbshme ka qenë dëmtimi i varrit të tij në varrezat publike të qytetit. Sipas rrëfimit të bashkëshortes, nga banesa e fundit e aktorit janë vjedhur kryqi, feneri dhe gërmat prej bronzi të emrit të tij.
“I kishim punuar në Greqi dhe i grabitën sepse shkëlqenin si flori”, ka treguar Florika Shkurti, duke shprehur dhimbjen për mungesën e respektit ndaj kujtimit të një prej figurave më të rëndësishme të artit shqiptar.
Stavri Shkurti iku nga kjo botë duke lënë pas role të paharruara dhe një trashëgimi të madhe artistike. Por historia e varrit të tij mbetet një kujtesë e hidhur se respekti për artistët duhet të vazhdojë edhe pas largimit të tyre nga jeta.
“KORÇA BOOM”
















