Kritika të forta për Ramën, Bamir Topi: Nuk është serioze të dalësh me karrige e stola
Ish-presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, ka komentuar protestat e studentëve të zhvilluara ditët e fundit në Tiranë dhe qytete të tjera, duke kritikuar ashpër mënyrën se si kryeministri Edi Rama po përballet me situatën.
Në një intervistë për News24, Topi u shpreh se qytetarët nuk e durojnë më, sipas tij, sjelljen arrogante dhe megalomane të kryeministrit. Ai kritikoi gjithashtu mënyrën e komunikimit të Ramës me protestuesit, duke e cilësuar si jo serioze vendosjen e karrigeve dhe stolave pranë Kryeministrisë.
“Dil në trotuar, vë karrige, stola, nuk është serioze. Ka mënyrën e vet ekstravagante, por kjo shoqëri nuk e duron dot më këtë mënyrë sjelljeje”, deklaroi Topi.
Ish-presidenti ngriti shqetësime edhe për mungesën e transparencës nga institucionet dhe qeveria, duke theksuar se mungesa e informacionit të qartë mund të shtojë pakënaqësinë e qytetarëve.
Sipas Topit, vëmendja publike nuk duhet të largohet nga problemet që ai i cilësoi si kryesore për qeverisjen, përfshirë korrupsionin dhe përgjegjësinë politike.
Ai kritikoi gjithashtu mungesën e një mesazhi të drejtpërdrejtë publik nga Presidenti i Republikës për situatën e krijuar, duke theksuar se kreu i shtetit ka përgjegjësi institucionale për t'iu drejtuar qytetarëve në momente të tilla.
Topi solli në vëmendje edhe një mesazh të presidentit italian Sergio Mattarella për rëndësinë e rinisë, duke nënvizuar se të rinjtë duhet të dëgjohen dhe të mbështeten, veçanërisht ata që përballen me vështirësi ekonomike.
Në vijim, ish-presidenti kërkoi më shumë transparencë nga institucionet dhe qartësi për mënyrën se si po menaxhohet situata.
“Duhet të dalim nga kjo errësirë informative. Ka një errësirë. Këtu nuk është puna me kap dikë pas shtyllës. Transparencën duhet ta kenë ata me pushtet”, u shpreh Bamir Topi.
Deklaratat e tij vijnë në një kohë kur protestat e studentëve dhe të rinjve kanë nxitur reagime politike dhe debate mbi përgjegjësinë e institucioneve, të drejtën për protestë dhe nevojën për dialog me protestuesit.
“KORÇA BOOM”
















