Kulaç, vezë të ziera dhe verore, banorët e Ersekës mirëpresin Ditën e Verës me festimet tradicionale në shesh
- 1 hour ago
- 2 min read
Për të shtatin vit radhazi, qyteti i Ersekës e mirëpret Ditën e Verës me një organizim të veçantë dhe plot gjallëri nga vetë banorët.
Nga qytetarët e zakonshëm te grupet artistike dhe amvisat kolonjare, të gjithë bëhen pjesë e festës, duke i dhënë sheshit një atmosferë tradicionale.
Amvisat sjellin për vizitorët gatimet tipike të kësaj dite, duke e kthyer festën në një ekspozitë të shijeve të zonës.
Sipas tyre, në tryezën e Ditës së Verës nuk mund të mungojnë kulaçi, vezët e ziera, veroret dhe ëmbëlsirat e ndryshme, të cilat përgatiten sipas traditës së vjetër të Kolonjës.
“I kam trashëguar nga mamaja. Bëjmë verore të bardha me pe të kuq dhe ua vendosim në duar edhe fëmijëve. Marrim thanat. Misrat e zier me hi i lajmë. Bëjmë kulaç, petanik dhe pastërma. Vezë të kuqe, kulaç… kush e kush nga komshinjtë të çohej më parë në mëngjes. Ishte traditë që na e kanë lënë të vjetrit”
“Ziejmë vezë, bëjmë kulaç e ëmbëlsira. Misra, grurë. I ndajmë në lagje, bashkë me lajthi, karamele, portokalle, mollë etj.”
“Ja shikojeni: me misra, me kulaç, manushaqe, lule dele… gëzuar!”, thonë pjesmarrësit.
Ndërkohë, kryetari i Bashkisë së Kolonjës thekson se aktivitetet e organizuara për këtë festë sjellin gjallëri dhe atmosferë festive në sheshin “Rilindja”.
“Sado traditë e zhurmë të ketë, ka njerëz që thonë se s’ka njerëz, por rrjetet sociale e tregojnë të kundërtën. Dita e Verës është një festë që buron jo nga komercialiteti, por një festë pagane e festuar ndër shekuj mes traditave fetare dhe pagane. Uroj që shqiptarët të kenë shëndet, begati dhe qetësi”, thotë Erion Isai, kryetar i Bashkisë së Kolonjës.
Dita e Verës është festuar në mënyrë spontane edhe në qytete të tjera të juglindjes së vendit, si dhe në pjesën më të madhe të fshatrave të zonës./ Euronews
“KORÇA BOOM”
















