top of page

Lajm i rëndësishëm për maturantët, ndryshon procedura e aplikimit në UALBANIA

  • 5 hours ago
  • 1 min read

Pas përfundimit të Provimeve të Maturës Shtetërore, maturantët do të hyjnë në fazën e aplikimit për studimet e larta. Nga 27 korriku deri më 1 gusht, kandidatët do të kenë mundësi të plotësojnë formularin A2 në platformën UALBANIA, ku mund të përzgjedhin deri në 10 programe studimi, sipas preferencave të tyre.


Drejtori i Rrjetit Akademik Shqiptar, Arjan Xhelaj, u ka bërë thirrje maturantëve që ta shfrytëzojnë këtë periudhë për të analizuar me kujdes alternativat dhe për të renditur degët sipas interesit dhe mundësive për t'u shpallur fitues.


Për të përfunduar aplikimin, çdo maturant duhet të kryejë pagesën prej 2 mijë lekësh në një bankë të nivelit të dytë. Ndryshe nga vitet e mëparshme, këtë vit është prezantuar një risi: fatura e pagesës mund të ngarkohet online në platformën UALBANIA, duke eliminuar nevojën që aplikantët të paraqiten fizikisht në shkollat ku kanë përfunduar arsimin e mesëm.


Ndërkohë, universitetet në vend kanë propozuar 60 programe të reja studimi për vitin e ri akademik, duke zgjeruar ofertën për studentët e ardhshëm. Megjithatë, për degët më të kërkuara pritet konkurrencë e lartë dhe kuotat mund të plotësohen që në raundin e parë të pranimeve.


Pas shpalljes së fituesve dhe regjistrimit në programin përkatës, maturantët do të kenë të drejtë të çregjistrohen brenda dy ditëve në fund të çdo raundi, nëse synojnë të konkurrojnë për një program studimi që e kanë renditur më lart në listën e preferencave.


Autoritetet u bëjnë thirrje të gjithë maturantëve të respektojnë afatet dhe të plotësojnë me kujdes formularin A2, pasi renditja e preferencave është vendimtare për programin e studimit ku do të pranohen.

“KORÇA BOOM”


bottom of page