Lamine Yamal paralajmëron Belgjikën: Ndeshja ime e madhe po vjen
- 5 hours ago
- 2 min read
“Jam mirë dhe ndeshja ime e madhe po vjen”, u shpreh Lamine Yamal në një intervistë për Mundo Deportivo, duke iu referuar çerekfinales së Botërorit ndaj Belgjikës. Kjo sfidë do të jetë edhe ndeshja e tij e fundit si 18-vjeçar.
Të hënën, Yamal do të festojë 19-vjetorin e lindjes. Megjithatë, mbrëmja e së premtes do të përcaktojë nëse ai do ta presë ditëlindjen i grumbulluar me kombëtaren e Spanjës në prag të gjysmëfinales, apo tashmë në pushime. Dy vite më parë, në Donaueschingen të Bavarisë, ai festoi 17-vjetorin me një tortë të përgatitur nga skuadra, pak përpara finales së Kampionatit Evropian, ku ishte protagonist në triumfin ndaj Anglisë.
Në këtë Botëror, Yamal ka qenë i vetmi prej yjeve të Spanjës që nuk ka arritur ende të shkëlqejë plotësisht. Ai u rikthye pas afro dy muajsh mungesë për shkak të një dëmtimi muskulor dhe po fiton gradualisht ritmin.
Kjo reflektohet edhe te minutazhi që i ka besuar trajneri De La Fuente në pesë ndeshjet e para: 20, 45, 75, 84 dhe 90 minuta. Deri tani ka realizuar vetëm një gol, në fitoren 4-0 ndaj Arabisë Saudite, duke dhuruar edhe disa momente cilësore, por ende jo aq sa pritet nga talenti i tij.
“Mund të bëj më mirë, nuk më mjafton kjo që po bëj. Unë jam superkërkues ndaj vetes, nuk kam thënë kurrë ‘ok, më mjafton’, as në kombëtare e as te Barcelona”, tha Yamal.
Ky është Botërori i tij i parë, ashtu si edhe çerekfinalja e parë në karrierë. Spanja rikthehet në këtë fazë të turneut për herë të parë që prej vitit 2010.
“Njerëzit i kujtojnë momente si këto, kur janë 1/8 e finaleve, çerekfinalet dhe unë bashkë me ta, këto janë situatat ku unë jam më i motivuar. I konsideroj kritikat si diçka pozitive, por ditën që unë jam mirë, e gjithë bota duhet të heshtë”, u shpreh ai.
Përveç objektivave në fushë, Yamal shpreson të festojë ditëlindjen në Botëror pranë vëllait të tij të vogël, Kayne, i cili deri tani ka tërhequr po aq vëmendje sa vetë sulmuesi.
“Është si të jetë djali im, e dua shumë”, thotë 18 vjeçari.
Tashmë mbetet që Yamal të gjejë sërish rrugën e rrjetës, pasi askush nuk i feston golat e “La Roja” me më shumë entuziazëm sesa Kayne i vogël. Kjo u pa qartë edhe pas golit të tretë të Oyarzabal në fitoren ndaj Austrisë, kur reagimi dhe buzëqeshja e tij tërhoqën vëmendjen e të gjithëve.
“KORÇA BOOM”













