Llotaria Amerikane ristrukturohet, mashtrimet nuk do të tolerohen më
- 37 minutes ago
- 1 min read
Programi i njohur i Llotarisë Amerikane për vizat e diversitetit do të pësojë ndryshime të rëndësishme për aplikimet e DV-2027. United States Department of State ka publikuar një rregull të ri në Federal Register që synon të luftojë mashtrimet dhe aplikimet e rreme.
Rregulli i ri hyn në fuqi më 10 prill 2026, rreth 30 ditë pas publikimit zyrtar, dhe do të zbatohet për aplikimet e programit DV-2027. Ndryshimi kryesor është detyrimi për pasaportë të vlefshme gjatë aplikimit.
Aplikantët do të duhet të vendosin të dhënat e pasaportës dhe të ngarkojnë një scan të faqes biografike dhe faqes së nënshkrimit të pasaportës në format JPEG, me madhësi maksimale deri në 5 MB. Në rast se pasaporta është e skaduar ose dokumenti nuk ngarkohet, aplikimi do të refuzohet automatikisht.
Një tjetër ndryshim është tarifa simbolike prej rreth 1 dollar për çdo aplikim, e cila ka për qëllim të ulet numri i aplikimeve masive dhe abuzimet me sistemin. Sipas Departamentit të Shtetit, çdo vit zbulohen miliona aplikime mashtruese ose të dyfishta, shpesh nga palë të treta pa dijeninë e aplikantëve. Vetëm në një vit janë identifikuar rreth 2.5 milion aplikime të dyfishta.
Autoritetet amerikane theksojnë se kërkesa për pasaportë dhe verifikimi i dokumenteve do të ndihmojë në:
identifikimin e saktë të aplikantëve,
reduktimin e aplikimeve të dyfishta,
luftimin e mashtrimeve nga agjenci ose rrjete kriminale.
Personat që planifikojnë të aplikojnë për DV-2027 rekomandohet të kenë pasaportë të vlefshme, të përgatisin scanin e dokumentit dhe të aplikojnë vetëm një herë, pasi aplikimet e dyfishta çojnë në skualifikim.
"KORCA BOOM"













