Makina e drejtoreshës së Shërbimit Social përfshihet nga flakët
Makina e drejtoreshës së Shërbimit Social në Bashkinë e Elbasanit është përfshirë nga flakët dhe më pas ka shpërthyer, duke shkaktuar panik pranë një prej zonave të frekuentuara të qytetit.
Ngjarja ka ndodhur pranë kryqëzimit të “1 Majit”, në aksin rrugor që të çon drejt urës së Zaranikës. Automjeti, i cili ishte në pronësi të drejtueses së institucionit, është përfshirë fillimisht nga zjarri dhe më pas është shënuar shpërthimi.
Dyshimet paraprake lidhen me praninë e një impianti gazi në automjet, ndërsa fatmirësisht nga ngjarja nuk raportohet për persona të lënduar apo viktima.
Drejtuesja e mjetit ka mohuar që ngjarja të ketë qenë e qëllimshme apo të ketë lidhje me detyrën e saj zyrtare.
Ndërkohë, autoritetet kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e sakta të zjarrit. Pista kryesore e hetimit lidhet me një defekt teknik të mundshëm në automjet, ndërsa ekspertiza pritet të ndihmojë në zbardhjen e plotë të rrethanave të incidentit.
“KORÇA BOOM”
















