Marrin kthesë hetimet për vdekjen e Mazonakis, dy mjekët mund të përballen me akuzë për vrasje me dashje
Autoritetet greke po shqyrtojnë mundësinë e ndryshimit të akuzës ndaj dy mjekëve të përfshirë në çështjen e vdekjes së Giorgos Mazonakis, duke e rikualifikuar atë në një vepër penale më të rëndë.
Nuk përjashtohet mundësia që dy mjekët, Ilias Theodoropoulos dhe Ioanna Gaka, të ndiqen penalisht për vrasje me dashje, në vend të akuzës që është ngritur ndaj tyre për ekspozimit me pasojë vdekjen, për të cilën akuzohen aktualisht.
Megjithatë, deri tani nuk është ngritur ndonjë akuzë plotësuese. Sipas informacioneve, hetuesi po pret prova të reja digjitale nga Policia Greke.
Në këto kushte, mbetet e hapur mundësia që dy mjekët e akuzuar të kërkojnë një afat të ri për të dhënë dëshmitë e tyre nesër para hetuesit.
Avokati i familjes: Provat e deritanishme mbështesin akuzën për vrasje me dashje eventuale
Të shtunën, avokati i familjes së këngëtarit dha deklarata për Alpha, duke argumentuar se provat e mbledhura deri më sot, sipas vlerësimit të tij, mbështesin si nga ana objektive, ashtu edhe nga ajo subjektive, akuzën për vrasje me dashje eventuale.
Në të njëjtën kohë, avokati i familjes deklaroi se mjekët kryen një procedurë mjekësore pa pasur specializimin e nevojshëm dhe në një ambient që, sipas tij, nuk ishte spitalor.
Sipas tij, në ambient nuk kishte defibrilator dhe as pajisjet e nevojshme për trajtimin e një komplikacioni të mundshëm.
I pyetur për specializimin e mjekes që mori përsipër këngëtarin dhe konkretisht nëse ajo është gjinekologe, zoti Lykoudis u përgjigj: “Nuk është gjinekologe. Nuk ka asnjë specializim. Ka një diplomë në Mjekësi”.
Katër kontradiktat e mjekëve
Dëshmitë e tyre konsiderohen vendimtare për ecurinë e hetimit, ndërsa autoritetet po përpiqen të rindërtojnë minutë pas minute atë që ndodhi përpara arrestit kardiak dhe të përcaktojnë se kush ndodhej në ambient, çfarë procedurash mjekësore u kryen dhe në çfarë gjendjeje ishte këngëtari gjatë minutave kritike.
Megjithatë, sipas asaj që po zbulohet, dy mjekët nuk ishin as në gjendje të ndihmonin pacientin e tyre kur ai pësoi arrest kardiak. Madje, është e mundur që edhe injeksionet e adrenalinës, të cilat, sipas pretendimit të Ilias Theodoropoulos, ai i bëri në dëshpërim, të jenë administruar pasi gjithçka kishte përfunduar, krejtësisht pa rezultat, vetëm për të ruajtur aparencat dhe jo për të shpëtuar Mazonakis, i cili tashmë kishte ndërruar jetë.
Sipas të dhënave të përfshira në dosjen e çështjes, dy mjekët, të cilët pritet të dëshmojnë gjatë ditës para hetuesit, duhet t'u përgjigjen katër kontradiktave kryesore që janë evidentuar:
Në çfarë ore mbërriti Giorgos Mazonakis në klinikë?
Gaka pretendoi se këngëtari shkoi në Karneadou në orën 16:00, ndryshe nga dëshmitë e punonjësve të klinikës, të cilët thonë se ai kishte mbërritur gjysmë ore më herët.
Sa kohë qëndroi këngëtari në ambientin ku kryhej trajtimi?
Gaka pretendon se ai qëndroi për një kohë shumë të shkurtër dhe se pajisja e plazmaferezës, të cilën e përdorte ekskluzivisht ajo, nuk kishte filluar ende të funksiononte. Ndërkohë, një punonjëse e klinikës ka dëshmuar se Giorgos Mazonakis kishte qëndruar aty për të paktën 45 minuta.
Cili është specializimi i Gakës?
Ajo vetë deklaroi se është mjeke-gjinekologe, ndërsa Theodoropoulos patolog. Megjithatë, këto deklarime bien ndesh me licencat e klinikave të tyre, të cilat ndodheshin në të njëjtin ambient, si edhe me shërbimet që u ofronin pacientëve.
Çfarë ndodhi me defibrilatorin që ndodhej në Stem Cell?
Gaka pretendoi se Theodoropoulos e përdori defibrilatorin në përpjekje për të rikthyer Giorgos Mazonakis. Megjithatë, ekuipazhi i EKAB-it deklaron se defibrilatori që ndodhej në ambient nuk funksiononte.
Një tjetër element i rëndësishëm për mënyrën se si vepruan dy mjekët e akuzuar është fakti se ata nuk e shoqëruan këngëtarin me ambulancën e EKAB-it drejt spitalit, për të informuar mjekët që e morën në dorëzim për atë që kishte ndodhur më parë.
Në vend të kësaj, ata qëndruan në klinikën në rrugën Karneadou, ku punonjësit pastruan me kujdes ambientin. Në të njëjtën kohë, nga kalendari elektronik i Gakës janë hequr të dhënat për takimet e këngëtarit.
“KORÇA BOOM”
















