Vajza e Jakup Krasniqit reagon pas dënimit me 25 vjet burgim: Turp! Sot ndodhi padrejtësia më e madhe e këtij shekulli
Gresë Krasniqi, vajza e Jakup Krasniqit, ka reaguar pas vendimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, të cilat e dënuan babanë e saj me 25 vjet burgim.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, ajo e ka kundërshtuar ashpër vendimin, duke e cilësuar atë si të padrejtë. Krasniqi ka shprehur gjithashtu bindjen e saj për pafajësinë e babait të saj, si dhe të bashkëakuzuarve Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi.
“Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës, sot, në qytetin e drejtësisë, ndodhi padrejtësia më e madhe e këtij shekulli”, ka shkruar ajo.
Në reagimin e saj, Gresë Krasniqi ka ngritur kritika ndaj procesit dhe aktgjykimit, duke pretenduar se ato janë të motivuara politikisht. Sipas saj, vendimi prek edhe imazhin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe mënyrën se si periudha e luftës paraqitet në opinionin publik.
Duke iu referuar katër të akuzuarve, ajo ka deklaruar se gjatë luftës në Kosovë ata kishin marrë armët për të mbrojtur familjet dhe popullsinë nga forcat serbe.
Në argumentimin e saj kundër vendimit të Dhomave të Specializuara, Krasniqi ka përmendur edhe ish-ministrin e Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiç, duke e sjellë rastin e tij si pjesë të kritikave të saj ndaj aktgjykimit.
“Unë jetoj dhe do të vdes me bindjen time të plotë në pafajësinë dhe çiltërsinë e babait tim, Hashimit, Kadriut dhe Rexhës”, ka deklaruar ajo.
Në përfundim të reagimit, Gresë Krasniqi ka bërë të qartë se vendimi i gjykatës, sipas saj, nuk do t’i ndalë përpjekjet për drejtësi.
“Krenaria mbetet. E vërteta mbetet. Ne do ta vazhdojmë luftën për liri dhe drejtësi!”, ka përfunduar ajo.
"Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës,
Sot, në qytetin e drejtësisë, ndodhi padrejtësia më e madhe e këtij shekulli.
Në një gjykatë që ne e konsiderojmë të padrejtë, politike, raciste dhe kriminale, u dha një vendim po aq i padrejtë, politik, racist dhe kriminal. Ky vendim, perfundimisht, ndryshon historinë e Republikës së Kosovës, i vendosë një njollë të zezë UÇK-së dhe barazon viktimën me agresorin.
Katër burra që i kthyen armët kundër armikut, jo për të pushtuar e as për pushtet, por për të mbrojtur pragun e shtëpisë që digjej e shkatërrohej; për të mbrojtur familjarët që dhunoheshin, përdhunoheshin, torturoheshin e vriteshin; që zhdukeshin e dëboheshin nga trojet e tyre.
UÇK-ja luftoi kundër kasapit të Ballkanit, kundër një prej ushtrive më të përgjakshme të rajonit, kundër një makinerie ushtarake që kreu gjenocid në Kosovë. E megjithatë, sot u dënuan çlirimtarët.
Në këtë gjykatë te padrejt, sot u dënua zëdhënësi i UÇK-së, ndërsa homologu i tij i atëhershëm, Ivica Daçiq, vazhdon të jetë i lirë dhe të jetojë krejt mirë në Beograd. Ky eshte vec nje tjeter tregues i qarte per natyren paragjykuese dhe politike te po kesaj gjykate.
Natyrisht, ky vendim na ka lënduar dhe na ka zhgënjyer, Por kurrë nuk do të na thyejë dhe kurrë nuk do të na dorëzojë.
Unë jetoj dhe do të vdes me bindjen time të plotë në pafajësinë dhe çiltërsinë e babait tim, Hashimit, Kadriut dhe Rexhës. Krenaria mbetet. E vërteta mbetet. Ne do ta vazhdojmë luften për liri dhe drejtesi!", shkruan vajza e Krasniqit./ Pamfleti
“KORÇA BOOM”
















