Mashtrimet kibernetike në rritje, eksperti i sigurisë zbulon detajet: Ja çfarë duhet të dini për t’u mbrojtur
- 6 days ago
- 1 min read
Eksperti i sigurisë kibernetike pranë Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, Kristian Josifi, ka shpjeguar disa nga format më të zakonshme të fushatave mashtruese në internet, duke vënë theksin te rreziku në rritje që paraqesin këto skema për përdoruesit.
Sipas tij, një nga elementët kryesorë për të identifikuar një mashtrim është verifikimi i dërguesit. Ai theksoi se qytetarët duhet të tregojnë kujdes të shtuar ndaj numrave apo adresave nga të cilat vijnë mesazhet, edhe kur ato duken si numra shqiptarë, pasi shpesh falsifikohen për të fituar besimin e viktimave.
Josifi paralajmëroi se mashtruesit përdorin metoda gjithnjë e më të sofistikuara, si mesazhe që imitojnë banka, institucione shtetërore apo kompani të njohura, duke kërkuar të dhëna personale apo financiare. Në shumë raste, këto mesazhe përmbajnë lidhje të rreme (linke), të cilat çojnë në faqe që duken identike me ato zyrtare.
Ai këshilloi që përdoruesit të mos klikojnë në linke të dyshimta, të mos shpërndajnë kurrë të dhëna sensitive si fjalëkalime apo kode bankare, si dhe të përdorin verifikimin me dy hapa për llogaritë e tyre.
Gjithashtu, eksperti sugjeroi që çdo rast i dyshimtë të raportohet menjëherë pranë institucioneve përkatëse, në mënyrë që të parandalohet përhapja e mëtejshme e mashtrimeve.
Ai apeloi për më shumë ndërgjegjësim dhe kujdes nga ana e qytetarëve, duke theksuar se mbrojtja më e mirë ndaj mashtrimeve online mbetet informimi dhe vigjilenca e vazhdueshme.
"KORÇA BOOM"
















