Masivi i dheut godet makinën në Qukës-Qafë Plloçë, shoferi dhe pasagjerët shpëtojnë mrekullisht
- Korca Boom
- 1 day ago
- 1 min read
Reshjet e shiut gjatë 24 orëve të fundit kanë sjellë sërish vështirësi në disa segmente të aksit nacional Qukës–Qafë Plloçë, ku janë regjistruar rëshqitje gurësh dhe dherash.
Situata më kritike raportohet pranë hyrje-daljes së tunelit të këtij aksi, ku prurjet e dherave nga shpatet anësore kanë rrezikuar qarkullimin e mjeteve.
Burime nga terreni bëjnë me dije se një mjet me targa greke është goditur nga dhera dhe gurë në dalje të tunelit. Fatmirësisht, nga ky incident nuk ka persona të lënduar, ndërsa drejtuesi i automjetit dhe pasagjerët kanë shpëtuar pa pasoja.
Policia Rrugore ndodhet në terren dhe po monitoron situatën në segmentet problematike. Drejtuesve të mjeteve u bëhet thirrje të tregojnë kujdes të shtuar dhe të respektojnë sinjalistikën rrugore deri në stabilizimin e plotë të situatës.
“KORÇA BOOM”



















