top of page

Merr fund pritja/ Do të përshkruhet për 1 orë e 30 minuta, hapet nesër për qarkullim rruga Qukës–Qafë Plloçë

  • Writer: Korca Boom
    Korca Boom
  • 3 days ago
  • 2 min read

Aksi rrugor Qukës-Qafë Plloçë, një arterie me rëndësi jetike për Juglindjen e vendit, që pritet të çlirojë flukset e qarkullimit dhe potencialin turistik të disa zonave, do të jetë i aksesueshëm për qytetarët nga e premtja e 5 shtatorit. Lajmin për përfundimin e punimeve dhe nisjen normal të qarkullimit në këtë aks e ka dhënë Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku. Rruga Qukës-Qafë Plloçë do të hapet për qarkullim ditën e nesërme në orën 11:00. 


Teksa foli për një sërë projektesh të rëndësishme infrastrukturore që po zhvillohen në vendin tonë në aktivitetin “Shqipëria Turistike 2030”, Balluku deklaroi se, “jemi duke përfunduar edhe projektet që kanë qëndruar gjatë në duart e ndërtuesve, si ai i Qukës – Qafë-Plloçë, por që nesër bëhet i aksesueshëm për automjetet”. Një ndër kantieret e reja që do të hapet në vend sipas Ballukut është ai për Bypass-in e Elbasanit, që do të çlirojë nga trafiku nyjen e Bradasheshit, në autostradën Tiranë-Elbasan.


“Gjithashtu një Bypass 3 kilometërsh nga Bradasheshi në Lekaj do të lehtësojë trafikun në aksin Tiranë–Elbasan vitin e ardhshëm. Për rrugën Milot–Balldren, më 3 tetor do të shpallet fituesi i kontratës koncesionare”, u shpreh Balluku.


Ajo tha se, Shqipëria sot gumëzhin si një kantier ndërtimi dhe shumë prej projekteve po përfundojnë para afatit, duke ndikuar drejtpërdrejt në zhvillimin e turizmit. Në përfundim, Balluku e cilësoi turizmin si një nga sektorët me potencialin më të madh për ekonominë shqiptare, ndërsa theksoi se bashkëpunimi ndërinstitucional, zhvillimi i qëndrueshëm dhe përfshirja e komuniteteve lokale do të jenë shtyllat e strategjisë “Shqipëria Turistike 2030”.

 

Me përfundimin e këtij aksi, distanca Tiranë-Korçë do të përshkohet për rreth 1 orë e 30 minuta. Segmenti i ri, me një gjatësi prej 43 kilometrash, përfshin rreth 10 kilometra përgjatë lumit Shkumbin dhe më pas kalon në zonën malore të Mokrës, duke përfshirë ndërtimin e mbi 20 urave, shumë mure mbajtëse dhe një tunel 375 metra të gjatë.


Rruga pritet të ofrojë një standard të ri udhëtimi për të gjithë ata që lëvizin drejt Korçës, Pogradecit dhe juglindjes së Shqipërisë.

“KORÇA BOOM”

ree

bottom of page