top of page

Meta dhe Kryemadhi në GJKKO/ Cakrani sulmon SPAK: Akuza pa prova, dosja CEZ/DIA e pabazë

Jun 24
2 min read

Në GJKKO po zhvillohet sot seanca e gjyqit të themelit ndaj Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi, në kuadër të dosjes që lidhet me çështjen CEZ/DIA dhe lobimin në SHBA.


Seanca është shoqëruar me tensione që në nisje. Sipas raportimeve, avokati i Kryemadhit nuk është lejuar fillimisht të hyjë në sallë, pasi ka refuzuar kontrollin e çantës nga punonjësit e sigurisë.


Ndërkohë, avokati i Metës, Kujtim Cakrani, ka kundërshtuar ashpër akuzat e ngritura nga SPAK, duke deklaruar se ato nuk mbështeten në prova konkrete dhe se çështja CEZ/DIA nuk ka bazë ligjore.


Sipas Cakranit, hetimi për këtë çështje ka nisur në vitin 2017 pas një kallëzimi të bërë nga Romeo Karaj, menjëherë pas përfundimit të procesit gjyqësor ndaj Kastriot Ismailajt dhe mbylljes së arbitrazhit.


Avokati pretendoi se fillimisht kallëzimi ka qenë ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha dhe qeverisë së tij, ndërsa më pas fokusi është zhvendosur te Meta.


Cakrani argumentoi se çështja CEZ/DIA është përdorur si instrument politik për të goditur Metën, duke theksuar se kompania DIA ishte një kompani amerikane me aktivitet ndërkombëtar dhe se nuk kishte nevojë për ndërhyrje politike për të operuar.


Ai hodhi poshtë edhe pretendimet që lidhen me udhëtimet dhe kontaktet e Metës me persona të përfshirë në dosje, duke deklaruar se nuk mund të ngrihen akuza mbi elementë që, sipas tij, nuk provohen me dokumente zyrtare.


Një tjetër pikë e fortë e mbrojtjes ishte mungesa e analizës financiare në dosje. Sipas avokatit, SPAK nuk ka paraqitur një analizë të plotë financiare mbi pasurinë e Metës, çka sipas tij dobëson akuzat për korrupsion dhe pastrim parash.


Cakrani kundërshtoi gjithashtu përdorimin e deklaratave të ish-ministrit Dritan Prifti, duke argumentuar se ato janë marrë në një periudhë kur Prifti ndodhej në konflikt të hapur me Metën dhe për këtë arsye nuk mund të konsiderohen prova të besueshme.


Sipas tij, edhe dëshmi apo dokumente të marra gjatë arbitrazhit në Vjenë nuk mund të përdoren në këtë proces, pasi procedurat e arbitrazhit mbrohen nga konfidencialiteti dhe përdorimi i tyre pa autorizim përbën shkelje ligjore.


Kujtojmë se Meta akuzohet për tre vepra penale, të komunikuara më 4 gusht 2025, përkatësisht fshehje pasurie, pastrim parash dhe korrupsion.


Ilir Meta ndodhet në paraburgim që prej tetorit 2024, ndërsa Monika Kryemadhi është nën masën e detyrimit për paraqitje.


Dosja “Meta” përfshin gjithashtu hetime edhe ndaj nënës së Kryemadhit, Pirro Xhixhos dhe Ema Çokut, të cilët akuzohen për disa vepra penale, mes tyre korrupsion pasiv, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie.

"KORÇA BOOM"


bottom of page