top of page

Mijëra qytetarë i kërkojnë të largohet, Rama ironizon protestuesit; publikon manifestin e ‘dorëheqjes’

  • 2 hours ago
  • 2 min read

Në vend të një përgjigjeje politike për pakënaqësitë e ngritura gjatë këtyre 27 ditëve, Rama zgjodhi ta trajtojë protestën me ironi dhe tallje përmes një postimi në rrjetet sociale.


Kryeministri Edi Rama iu përgjigj me tallje protestuesve që prej 27 ditësh dalin çdo ditë në shesh për të kërkuar dorëheqjen e qeverisë dhe ndryshim politik. Në vend të një reagimi për kërkesat e artikuluara nga qytetarët, Rama publikoi në rrjetet sociale mesazhin e një qytetarëve që e ftojnë të japë dorëheqjen, por vetëm në vitin 2030, duke e kthyer debatin në ironi.


Prej 27 ditësh, mijëra qytetarë kanë mbushur sheshin para Kryeministrisë dhe rrugët e Tiranës, ndërsa protesta është shtrirë edhe jashtë kufijve. Shqiptarë në vende të ndryshme të Europës, në Shtetet e Bashkuara dhe në Kanada kanë organizuar tubime ku kanë artikuluar ankesa ndaj qeverisë dhe klasës së vjetër politike.


Në postimin e shpërndarë nga Rama, shkruan se "qeverisjen e mundon më së shumti fodullëku dhe shkenca e gjithologjisë", por më pas rendit si arsye për dorëheqje ato që kryeministri i ka paraqitur vazhdimisht si arritje të qeverisë, si rritja e turizmit, aeroportet, hapja e negociatave me Bashkimin Europian, investimet, rritja e pagave dhe pozicioni ndërkombëtar i Shqipërisë.

Mesazhi përfundon me thirrjen: "Dorëhiqu... në 2030", ndërsa Rama e shoqëroi postimin me komentin se e "mirëkupton plotësisht" kërkesën dhe e "pranon përulësisht", duke u uruar ndjekësve një ditë të qetë.


Reagimi i kryeministrit vjen ndërsa protestuesit kanë hyrë në javën e katërt të mobilizimit dhe kanë deklaruar se do ta vazhdojnë protestën deri në realizimin e kërkesave të tyre. Në vend të një përgjigjeje politike për pakënaqësitë e ngritura gjatë këtyre 27 ditëve, Rama zgjodhi ta trajtojë protestën me ironi dhe tallje përmes një postimi në rrjetet sociale.


Kujtojmë se dje, qeveria e urdhëruar nga Edi Rama shpalli "non grata" shtetasen e Kosovës, Ikballe Huduti, e cila kishte marrë pjesë në protestën para Kryeministrisë. Ministria e Brendshme njoftoi se vendimi u mor për arsye që lidhen me sigurinë kombëtare, ndërsa në deklaratat publike u artikuluan pretendime për lidhje të saj me rrjete të ndikimit iranian.


Ky nuk është rasti i parë kur kryeministri tenton ta zhvendosë debatin nga kërkesat e protestuesve drejt identitetit të pjesëmarrësve apo ndikimeve të pretenduara të jashtme. Në reagimet e tij publike janë përmendur herë "grekët", herë "iranianët", herë "rusët", ndërsa në një tjetër rast Rama ia atribuoi mobilizimin edhe rolit të algoritmeve të rrjeteve sociale, duke refuzuar të marrë përsipër përgjegjësinë e 13 viteve qeverisje.

“KORÇA BOOM”


bottom of page