top of page

Miliona euro të BE-së për bujqësinë u kthyen në vila e resorte: SPAK gati me arrestime

  • Writer: Korca Boom
    Korca Boom
  • 7 hours ago
  • 1 min read

Një hetim i Zyrës Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF) ka zbuluar “keqpërdorim serioz të fondeve të paraanëtarësimit për bujqësinë” në Shqipëri dhe ka rekomanduar bllokimin e paketës së radhës prej 112 milionë eurosh për programin IPARD III. Lajmi u raportua nga gazetari i BIRN, Gjergj Erebara.


OLAF njoftoi se hetimi ka identifikuar abuzimin e rreth 33 milionë eurove nga fondet e Bashkimit Evropian të dedikuara për zhvillimin bujqësor dhe rural në kuadër të programit IPARD II. Hetimi u nxit pasi disa aplikues shqiptarë denoncuan praktikat korruptive të zyrës përgjegjëse.


Sipas raportit, aplikuesve u kërkohej të paguanin një përqindje të konsiderueshme të grantit tek kompani konsulence të parapërzgjedhura, të cilat siguronin ndërmjetësimin me Agjencinë për Zhvillim Rural dhe Bujqësor (ARDA). OLAF gjeti gjithashtu kontrata të dhëna pa konkurrencë, tendera të manipuluar, çmime të fryra dhe shkelje të ndryshme kontraktuale.


Për këtë arsye, institucioni evropian rekomandoi pezullimin e programit IPARD III deri në marrjen e masave që garantojnë mbrojtjen e fondeve të BE-së nga abuzimet.

Një kopje e gjetjeve i është dërguar autoriteteve shqiptare, pasi hetimi ka zbuluar elemente të mundshme të veprave penale. Ndërkohë, SPAK po finalizon hetimin dhe pritet të lëshojë urdhër-arrestet, të cilat, sipas burimeve, mund të firmosen para Krishtlindjeve.


Bashkimi Evropian pret ndëshkimin e personave përgjegjës për abuzimin me dhjetëra milionë euro fonde, të cilat – në vend që të shkonin për zhvillimin e bujqësisë – dyshohet se janë përdorur për investime private si vila, lokale turistike, hotele dhe projekte të tjera luksoze.

"KORCA BOOM"

ree

bottom of page