Mjeku i spitalit procedohet penalisht për neglizhencë pas vdekjes së një pacienti
- Korca Boom
- Sep 3, 2025
- 1 min read
Një mjek 69-vjeçar i spitalit të Librazhdit është proceduar penalisht në gjendje të lirë për veprën penale “neglizhenca në trajtimin mjekësor”, pas vdekjes së një pacienti në ambientet e këtij spitali.
Sipas njoftimit të Policisë, kallëzimi ndaj mjekut është bërë nga një 42-vjeçare, e cila ka akuzuar mjekun me inicialet A. I., duke pretenduar se ai ka treguar neglizhencë në trajtimin e dajës së saj, shtetasit M. D., 52 vjeç.
Sipas kallëzimit, pacienti ishte shtruar në spitalin e Librazhdit më datë 27 gusht 2025 dhe ka ndërruar jetë katër ditë më vonë, më 31 gusht 2025.
Materialet e rastit janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, e cila do të vijojë hetimet për të përcaktuar nëse mjeku ka përgjegjësi ligjore në lidhje me ngjarjen.
Ndërkohë, institucioni shëndetësor nuk ka dhënë ende një reagim zyrtar lidhur me akuzat dhe ecurinë e trajtimit mjekësor të pacientit.
“KORÇA BOOM”


















