Nderohet drejtoresha e gjimnazit “Faik Konica”, vlerësim për kontributin e gjatë në arsim
Në një aktivitet të zhvilluar me fokus në vlerësimin e figurave të arsimit, drejtoresha e gjimnazit “Faik Konica” në Korçë, Lindita Grabocka, është nderuar me një vlerësim të veçantë për kontributin e saj në edukimin dhe formimin e brezave të rinj.
Vlerësimi u akordua nga drejtoresha e DRAP Korçë, Vinjola Rota, e cila vlerësoi punën dhe përkushtimin shumëvjeçar të znj. Grabocka në drejtimin e institucionit arsimor.
Sipas njoftimit zyrtar të Drejtorisë Rajonale të Arsimit Parauniversitar Korçë, Lindita Grabocka është vlerësuar për profesionalizmin, përkushtimin dhe rolin e saj në ndërtimin e një ambienti arsimor me standarde dhe vlera.
“Pas çdo suksesi të shkollës, pas çdo nxënësi të formuar me vlera dhe pas çdo sfide të kapërcyer me dinjitet, qëndron përkushtimi i një gruaje që e deshi arsimin me gjithë zemër”, thuhet në vlerësimin e bërë publik.
Gjithashtu theksohet se ajo ka qenë një udhërrëfyese për kolegët dhe një frymëzim për nxënësit, duke kontribuar në formimin e brezave të rinj me vlera dhe përgjegjësi.
Ky vlerësim vjen si një shenjë mirënjohjeje për një karrierë të gjatë në shërbim të arsimit dhe komunitetit shkollor.
“KORÇA BOOM”
















