Ndërtimet pa leje, 3 efektivë në pranga për shpërdorim detyre; në kërkim pronarët e ‘Copacabana’ dhe kryeinspektori i IMT-së
- 59 minutes ago
- 2 min read
Detaje të reja janë zbardhur për operacionin e mbrëmjes së djeshme në Sarandë kundër ndërtimeve pa leje me urdhër të Prokurorisë ku janë lëshuar 12 masa sigurie, 4 për efektivë, 4 për zyrtarë të IMT-së Sarandë dhe 4 për biznesmenë.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) njofton se përveç Kristofor Shkrepës, në pranga kanë rënë edhe Kastriot Sotka, për të cilët është lëshuar masa ‘arrest me burg’ dhe Blerim Tafçiu në ‘arrest shtëpie’, të gjithë të akuzuar për veprën penale ‘Shpërdorim detyre’ kryer më shumë se një herë.
Ky operacion është vazhdim i atij të ndërmarrë më 15 maj në zonën bregdetare ku konstatua dhe u shemb beach-bari ‘Copacabana’ që çoi në shkarkimin e kupolës drejtuese të Komisariatit të Sarandës për shkak se kishin mbyllur sytë përballë paligjshmërisë në këmbim të ryshfeteve.
Masë sigurie është lëshuar dhe për pronarët e ‘Copacabana’ Arjola Dhrami Bajo dhe Xhaferr Bajon si dhe për pronarin e hotel ‘Oasis’ Alqi Papa, i cili është arrestuar. Në këtë hotel, Prokuroria ka sekuestruar një kat i dyshuar i ngritur pa leje mbi tarracën e hotelit 6-katësh në rrugën “Butrinti”, në lagjen nr.1 të qytetit bregdetar.
Masë sigurie është lëshuar dhe për kryeinspektorin e Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) Eduart Veliu si dhe për efektivin Irakli Koçiaj.
Sjellim ndërmend se para disa ditësh, nga një operacion kundra ndërtimeve pa leje në Sarandë, u ndalua edhe shefi i Komisariatit Gëzim Bashllari.
Shkarkimi i kupolës së policisë në Sarandë
Beach-bari Copacabana në Sarandë dyshohet se u ngrit pa leje i financuar nga grupet kriminale duke korruptuar kupolën e policisë së Sarandës.
Sipas policisë, prona ku po kryheshin punimet rezulton të ketë qenë në emër të Isuf Jaçajt, i cili mbeti i vrarë pas shpërthimit me tritol të automjetit të tij në tetor të vitit 2025.
Hetuesit dyshojnë se pas atentatit fshihet një grup kriminal me bazë në Kamëz, i cili po verifikohet edhe për përfshirje në ngjarje të tjera kriminale në Sarandë. Sipas dyshimeve, prona ishte marrë me forcë nga ky grup, ndërsa aty po ndërtohej një beach bar që synohej të hapej gjatë sezonit turistik.
Në fokus të hetimeve janë edhe dyshimet për korrupsion brenda strukturave të policisë lokale. Për lejimin e ndërtimit pa leje dyshohet se janë dhënë ryshfete drejtuesve të policisë në Sarandë. Për këtë arsye, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka ndaluar shefin e Komisariatit të Sarandës dhe tre vartës të tij, të cilët akuzohen për shpërdorim detyre dhe përfshirje në skemën që lejoi vazhdimin e punimeve.
Gjithashtu, u pezullua edhe shefi i Seksionit për Hetimin e Krimeve në Volum në Komisariatin e Sarandës, komisar Blerim Tafçiu, pasi nuk u paraqit për t’u marrë në pyetje nga AMP gjatë hetimeve.
Emrat e policëve të arrestuar:
-Gëzim Bashllari, me detyrë Shef Komisariati;
-Andi Duro, specialist për hetimin e krimeve
-Ajdin Ismailaj, specialist për rendin
-Robert Çullaj, specialist zone
I pezulluar nga detyra:
-Shefi i e Krimeve në Sarandë, Blerim Tafçiu/ Pamfleti
“KORÇA BOOM”
















