top of page

Ndëshkon Komisioni i Disiplinës dy kundërshtarët e Devollit

  • Mar 28
  • 1 min read

Komisioni Disiplinor ka marrë vendime ndëshkuese ndaj KF Butrintit dhe KF Delvinës për sjellje të papërshtatshme të spektatorëve në ndeshjet respektive.


KF Butrinti është ndëshkuar për përdorimin e koreve fyese dhe shfaqjen e banderolave diskriminuese ndaj ekipit kundërshtar. Në bazë të dispozitave përkatëse të Kodit të Disiplinës Sportive, klubi dënohet me gjobë në masën 500.000 lekë, e cila aplikohet në nivelin 20%, si dhe me zhvillimin e 5 ndeshjeve pa praninë e spektatorëve.


Gjithashtu, në zbatim të rregullores së aktivitetit, klubi është i detyruar të dërgojë për miratim listën e zyrtarëve që do të qëndrojnë në tribunë, të paktën 48 orë përpara çdo ndeshje deri në përfundim të dënimit.


Ndërkohë, KF Delvina është ndëshkuar për sjellje edhe më të rëndë të tifozëve, ku përveç koreve fyese ndaj zyrtarëve të ndeshjes dhe ekipit kundërshtar, është evidentuar edhe hedhje sendesh në drejtim të lojtarëve dhe arbitrave, duke cënuar sigurinë e tyre.


Për këto shkelje, klubi dënohet me gjobë në masën 500.000 lekë, e aplikuar në 20%, si dhe me zhvillimin e 5 ndeshjeve pa spektatorë.


Këto masa synojnë të rrisin disiplinën dhe sigurinë në aktivitetet sportive, duke vendosur përgjegjësi të qarta mbi klubet për sjelljen e tifozëve të tyre.

“KORÇA BOOM”


bottom of page