Skënderbeu merr tri pikët, Ahmataj zbulon çfarë i duhet skuadrës: Duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë
Trajneri i Skënderbeut, Julian Ahmataj, foli pas fitores 0-2 ndaj Partizanit në Vorë, duke theksuar se në këtë moment skuadrës i duheshin më shumë se kurrë pikët dhe rezultatet pozitive.
Ahmataj u shpreh se, pavarësisht se rezultatet në fillim të sezonit nuk ishin ato që priteshin, skuadrës nuk i ka munguar loja. Megjithatë, sipas tij, ka ende hapësira për përmirësim, në mënyrë që Skënderbeu të arrijë nivelin e dëshiruar.
“Na gëzojnë vetëm pikët. Në këtë moment na duheshin fitoret. E nisëm jo mirë me rezultatet, por loja nuk na ka munguar. Ka vend për t'u përmirësuar, për ta çuar skuadrën në atë nivel që duam”, u shpreh trajneri.
Duke komentuar përballjen me Partizanin, Ahmataj vlerësoi kundërshtarin, veçanërisht repartin ofensiv, ndërsa pranoi se skuadra e tij pati vështirësi në minutat e para të ndeshjes.
“Partizani është skuadër shumë e fortë. Ka lojtarë shumë të mirë, sidomos në fazën ofensive. Duhet të merreshin masa. Në fillim patëm vështirësi, por më pas gjithçka u stabilizua. Kemi pasur probleme me golat në fillim të ndeshjeve. Mund të shënonim edhe më përpara”, deklaroi Ahmataj.
Trajneri foli edhe për Nasrin, duke shpjeguar se vendimi për të mos e aktivizuar lidhej me situatën e ndeshjes dhe terrenin plastik.
“Ne e kishim ndeshjen në avantazh. Ai do të jetë pjesë në vazhdim, por nuk kishim pse ta rrezikonim në këtë ndeshje dhe në këtë terren plastik. Mendoj se do të vlejë më shumë në ndeshjet e ardhshme”, theksoi ai.
Në fund, Ahmataj nënvizoi punën e bërë nga skuadra gjatë kësaj periudhe dhe besimin që ka te cilësitë e lojtarëve, por kërkoi që ekipi të ruajë përqendrimin dhe të mos e humbasë kontaktin me realitetin.
“Ne kemi punuar shumë gjatë kësaj periudhe. Në futboll gjërat mund të prishen në sekonda. Lojtarët japin maksimumin në fushën e lojës. Ne themi me bindje se këta lojtarë janë të nivelit të lartë, me cilësi. Ne kemi brum. Gradualisht do të shkojmë te maksimumi ynë, por duhet të jemi me këmbë në tokë”, përfundoi trajneri i Skënderbeut.
“KORÇA BOOM”
















