top of page

Nga luftë e fortë në spektakël: Pogradeci mposht Skënderbeun dhe sheh finalen

  • 4 hours ago
  • 2 min read

Skënderbeu-Pogradeci 0-3

(25-27, 18-25, 13-25)


Pogradeci ka hedhur një hap shumë të rëndësishëm drejt finales së kampionatit të volejbollit për femra, pasi ka arritur fitoren e dytë në transfertë ndaj Skënderbeu, në një përballje që nisi e fortë dhe e balancuar, por përfundoi me dominimin e plotë të skuadrës mike.


Ndeshja e zhvilluar në Korçë u karakterizua nga një rivalitet i fortë që në fillim. Seti i parë ishte tepër i luftuar, me të dyja skuadrat që nuk lëshonin terren dhe përgjigjeshin pikë për pikë. Loja mbeti e hapur deri në fund, duke kërkuar edhe pikët shtesë për të përcaktuar fituesin. Në këtë moment vendimtar, pogradecaret treguan më shumë qetësi dhe saktësi, duke e mbyllur setin në shifrat 25-27.


Ky set duket se ndikoi ndjeshëm në rrjedhën e mëtejshme të takimit. Pasi mori avantazhin, Pogradeci fitoi besim dhe nisi të kontrollojë ritmin e lojës. Në setin e dytë, “liqenoret” u shfaqën më të organizuara dhe më efikase në çdo repart, duke krijuar diferencë graduale dhe duke e fituar atë me rezultatin 18-25.


Në setin e tretë, epërsia e skuadrës mike u bë edhe më e dukshme. Me një lojë të sigurt dhe pa shumë gabime, Pogradeci dominoi plotësisht, duke mos i lënë shumë hapësira kundërshtarit dhe duke e mbyllur ndeshjen me një rezultat bindës 13-25.


Me këtë sukses, Pogradeci afrohet ndjeshëm me finalen dhe konfirmon ambiciet për titullin kampion këtë sezon. Skuadra ka treguar vazhdimësi, forcë karakteri dhe një nivel të lartë loje në momentet më të rëndësishme.


Nga ana tjetër, Skënderbeu, pavarësisht eliminimit, e mbyll sezonin me nota pozitive. Arritja në katërshen më të mirë të kampionatit përbën një sukses të rëndësishëm për ekipin korçar, që ka treguar rritje dhe konkurrencë gjatë gjithë sezonit.

“KORÇA BOOM”


bottom of page