Nga një bastisje për prostitucion e kokainë te finalja e Botërorit: Kush është arbitri që do të gjykojë Spanjë-Argjentinë?
- 1 day ago
- 1 min read
Emërimi i arbitrit slloven Slavko Vinčić për të drejtuar finalen e Kupës së Botës mes Spanjës dhe Argjentinës në “MetLife Stadium” ka rikthyer në vëmendje jo vetëm karrierën e tij në fushën e blertë, por edhe një episod të bujshëm që tronditi opinionin publik në vitin 2020.
Edhe pse sot konsiderohet një nga arbitrat më të vlerësuar në Europë, emri i Vinčić u përfol gjashtë vite më parë, kur u gjend në mesin e personave të ndaluar gjatë një operacioni policor në Bosnje-Hercegovinë kundër një rrjeti të dyshuar për prostitucion, trafik droge dhe armëmbajtje pa leje.
Operacioni u zhvillua në maj 2020 në një fermë pranë Bijeljinës, ku policia arrestoi 35 persona. Gjatë kontrollit u sekuestruan katër paketime me kokainë, 10 pistoleta, tre jelekë antiplumb dhe mbi 10 mijë euro para në dorë.
Mes të ndaluarve ishte edhe Vinčić, i cili u mor në pyetje dhe më pas u lirua, pasi autoritetet nuk gjetën prova që ta lidhnin me aktivitetet kriminale. Vetë arbitri deklaroi se kishte pranuar një ftesë për një “drekë pune”, pa e ditur se në çfarë ambienti po shkonte, duke e cilësuar më vonë këtë si “gabimin më të madh të jetës së tij”.
Federata Sllovene e Futbollit e mbështeti publikisht arbitrin, duke theksuar se ai ishte thjesht në vendin e gabuar, në kohën e gabuar.
Megjithatë, me Vinčić tashmë të përzgjedhur për të drejtuar ndeshjen më të rëndësishme të futbollit botëror, episodi i vitit 2020 është rikthyer sërish në qendër të debatit, duke e bërë sllovenin një nga emrat më të komentuar në prag të finales së madhe./ vna
“KORÇA BOOM”
















