Nga sot ndryshojnë çmimet e naftës dhe benzinës, ja sa do të paguajnë drejtuesit e mjeteve
- 14 hours ago
- 1 min read
Bordi i Transparencës ka miratuar këtë të mërkurë çmimet e reja tavan për karburantet në tregun shqiptar, të cilat kanë hyrë në fuqi më 10 qershor 2026, duke nisur nga ora 14:00.
Sipas vendimit të fundit, gazoili do të tregtohet me një çmim maksimal prej 188 lekësh për litër në shitjen me pakicë, ndërsa për shitjen me shumicë tavani është vendosur në 176 lekë për litër.
Ndërkaq, për benzinën është miratuar një çmim maksimal prej 171 lekësh për litër në pikat e shitjes me pakicë dhe 159 lekë për litër në tregun me shumicë.
Autoritetet sqarojnë se këto çmime do të mbeten në fuqi deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit të Transparencës, ku do të shqyrtohen lëvizjet e reja të tregjeve ndërkombëtare dhe ndikimi i tyre në tregun vendas.
Në njoftimin zyrtar, bordi u ka bërë thirrje të gjithë operatorëve të tregtimit të karburanteve të zbatojnë vendimin, duke paralajmëruar masa të forta ndaj subjekteve që konstatohet se shkelin çmimet e përcaktuara.
Sipas institucioneve përgjegjëse, në rast shkeljesh mund të vendoset deri edhe pezullimi i aktivitetit të operatorëve. Ndërkohë, Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, deklaron se mbetet e angazhuar për mbrojtjen e konsumatorëve dhe garantimin e konkurrencës së ndershme në treg.
“KORÇA BOOM”
















