Norvegjia e nis me fitore Botërorin 2026, Haaland shkëlqen me dopietë ndaj Irakut
- 9 hours ago
- 1 min read
Norvegjia e ka nisur me fitore aventurën në Kupën e Botës 2026, duke mposhtur Irakun me rezultatin 4-1 në stadiumin “Gillette” të Bostonit, në ndeshjen e vlefshme për Grupin I.
Skuadra nordike, e udhëhequr nga Erling Haaland, dominoi pjesën më të madhe të takimit, megjithëse irakianët arritën përkohësisht të rikthenin ekuilibrat dhe të linin gjurmën e tyre në këtë sfidë.
Pjesa e parë u karakterizua nga një lojë e kujdesshme nga të dyja ekipet. Rezultati u zhbllokua në minutën e 29-të, kur Haaland shfrytëzoi një asist të Wolfe dhe mposhti portierin Hassan për avantazhin e Norvegjisë. Reagimi i Irakut erdhi dhjetë minuta më vonë, me Hussein që realizoi golin e barazimit në minutën e 39-të.
Megjithatë, gëzimi i irakianëve zgjati pak. Vetëm pak minuta më pas, Haaland realizoi sërish, duke rikthyer epërsinë e norvegjezëve dhe duke mbyllur pjesën e parë me rezultatin 2-1.
Në fraksionin e dytë, Norvegjia vulosi fitoren. Ostigard shënoi golin e tretë për skuadrën e drejtuar nga Stale Solbakken, ndërsa në minutat e fundit një autogol i Hussein kompletoi rezultatin përfundimtar 4-1.
Ky sukses i jep Norvegjisë tri pikë të rëndësishme në rikthimin e saj në një Kupë Bote pas 28 vitesh mungesë.
Pas ndeshjeve të para, Grupi I kryesohet nga Norvegjia dhe Franca me nga tri pikë secila. Franca mposhti Senegalin me rezultatin 3-1, ndërsa Senegali dhe Iraku mbeten pa pikë.
Në raundin e ardhshëm, Franca do të përballet me Irakun më 22 qershor, ndërsa Norvegjia do të luajë ndaj Senegalit më 23 qershor.
“KORÇA BOOM”
















