top of page

“Nuk jam largu, jam këtu në Tiranë” - Tom Doshi i përgjigjet Berishës pas akuzës për arratisje

  • Writer: Korca Boom
    Korca Boom
  • 3 hours ago
  • 1 min read

Një përplasje e re virtuale ka ndodhur këtë të premte mes kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, dhe kreut të Partisë Socialdemokrate, Tom Doshi.


Gjithçka nisi me një postim të Berishës në rrjetin “Facebook”, ku ish-kryeministri pretendonte se Tom Doshi ishte larguar nga Shqipëria, pasi ndaj tij ishte lëshuar një urdhër-arresti nga SPAK.


“Toma ia mbathi! Miq, gosipi i qytetit gumëzhiti mbrëmë anë e kënd Tiranës se Tom Doshit i kanë prerë urdhër-arrestin skapistët e partisë…”, shkruante ndër të tjera Berisha, duke nënkuptuar se Doshi ishte urdhëruar të largohej për t’iu shmangur drejtësisë.


Megjithatë, reagimi i Doshit erdhi menjëherë. Përmes një postimi në rrjetet sociale, ai shpërndau një foto në një lokal të Tiranës, shoqëruar me mbishkrimin:“Nuk jam largu, jam këtu, në mes të Tiranës duke e pi kafen mes miqsh e jo mes paranojash.”


Pas këtij reagimi ironik, Sali Berisha e fshiu postimin nga profili i tij në Facebook, pa dhënë sqarime të mëtejshme.


Ky debat vjen vetëm tre ditë pas paraqitjes së Doshit në ambientet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), ku ai është marrë në pyetje për rreth 90 minuta, shtatë muaj pas dëshmisë së tij të parë.


Ngjarja ka ndezur reagime të shumta në rrjet, ndërsa mbetet e paqartë nëse ekziston realisht ndonjë procedim i ri ndaj kreut të PSD.

"KORÇA BOOM"

ree

bottom of page