Nuredin Dumani rikthehet në qelinë e veçantë, mjekët, nuk ka nevojë për trajtim spitalor
- Korca Boom
- 17 hours ago
- 1 min read
Mjekët konfirmuan se i penduari Nuredin Dumani nuk ka nevojë për ndërhyrje dhe gjendja e tij shëndetësore nuk e kërkon trajtimin në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza”.
Burime pranë TCH bëjnë me dije se dëshmitari i mbrojtur, i cili ka hapur 11 dosje në SPAK kundër krimit të organizuar, është rikthyer në qelinë ku mbahet i veçuar dhe nën masa të rrepta sigurie. Analizat e shumta mjekësore, të kryera fillimisht në urgjencë dhe më pas në kardiokirurgji, nuk kanë përcaktuar një diagnozë të qartë lidhur me shqetësimet e tij.
Siç bëhet e ditur, simptomat e raportuara nga Dumani, përfshirë rrahjet e shpejta të zemrës dhe episodet e humbjes së vetëdijes, mund të jenë shkaktuar nga stresi, ushqimi ose mungesa e aktivitetit fizik. Burime pranë drejtorisë së burgjeve shtuan se kjo është hera e dytë që i penduari ka probleme takikardiake, dhe herën e parë mjekët e institucionit penitenciar 313 rekomanduan një kontroll më të detajuar në qendrën spitalore.
Autoritetet e burgjeve theksuan se ushqimi që ka konsumuar Dumani ishte i kontrolluar dhe i sjellë nga familja e tij, ndërsa Instituti i Mjekësisë Ligjore ka hedhur poshtë versionin që ushqimi mund të ketë qenë i helmuar.
Të gjitha këto informacione janë paraprake. Nuredin Dumani, i cili nisi rrëfimin e tij me Plumbin e Artë dhe po jep informacion ndaj kriminelëve, është rikthyer nga spitali në qelitë që dikur ishin të njohura si 41 bis, të cilat tani, me kërkesë të SPAK, janë kthyer në strehën e të penduarve të këtij institucioni.
“KORÇA BOOM”
