Operacioni në Korçë/ Njëri në pranga, tjetri arratiset pasi nuk iu bind policisë
Një rast i dhënies së ndihmës emigrantëve nga vendet e treta për kalim të paligjshëm të kufirit kundrejt fitimit është goditur nga Policia Kufitare e Korçës në kuadër të operacionit të koduar “Borders 2”.
Si rezultat i operacionit, është arrestuar në flagrancë një 32-vjeçar, ndërsa bashkëpunëtori i tij 41-vjeçar është shpallur në kërkim.
Në pranga ka rënë shtetasi K. P., 32 vjeç, banues në Peqin, i dyshuar për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.
Ndërkohë, është shpallur në kërkim shtetasi E. M., 41 vjeç, banues në fshatin Taç të Ersekës, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë së Rendit Publik”.
Sipas Policisë, 32-vjeçari është kapur në fshatin Drenovë të Korçës, ndërsa transportonte me automjet në drejtim të Tiranës 7 shtetas të huaj, 2 prej të cilëve nga Bangladeshi dhe 5 nga Somalia.
Shtetasit e huaj dyshohet se kishin hyrë në mënyrë të paligjshme në territorin shqiptar përmes Kapshticës dhe synonin të kalonin ilegalisht drejt Malit të Zi.
Nga hetimet e kryera dyshohet se 41-vjeçari kishte rolin e kontrollit të rrugës. Sipas Policisë, në momentin që shërbimet i kanë dhënë shenjë për të ndaluar, ai nuk i është bindur urdhrit dhe ka vijuar lëvizjen me automjet, duke arritur të largohet.
Pas disa orësh kërkimi, Policia ka mundur të gjejë automjetin, i cili është sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
Në kuadër të operacionit janë sekuestruar gjithashtu dy automjete, një aparat celular dhe një shumë parash.
Policia njofton se vijon puna për kapjen e 41-vjeçarit, si dhe për dokumentimin e plotë të veprimtarisë së dyshuar kriminale.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, e kryer në bashkëpunim, dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë së Rendit Publik”, të parashikuara nga nenet 298/3 dhe 242 të Kodit Penal.
“KORÇA BOOM”
















