top of page

Opinion nga Gjergji Vyshka: Kur edhe sporti mbeti pa zë, fund epoke

  • Writer: Korca Boom
    Korca Boom
  • Jul 18
  • 2 min read

Prej kohësh flitej, por sot ndodhi zyrtarisht: Panorama Sport ndaloi botimin në letër. E fundit e mbetur nga gazetat sportive që dikur formonin një kulturë të përditshme leximi. Më parë u mbyllën Sporti Popullor (më pas Sporti Shqiptar), Gazeta e Sportit, Sport Ekspres, Metropol Sport, Sport Plus dhe shumë të tjera.


Sot, një gazetashitës pranë shkollës "Kushtrimi i Lirisë" më tha me keqardhje: “Miko, njerëzit duan sport. Nuk shitet më as Tema, as Sot, as Dita, as Telegrafi. E jo më gazetat e përjavshme kulturore...”. Ndjeva një dhimbje të madhe. Të njëjtin shqetësim e ndava edhe me mikun tim të vjetër, Gëzim Nushi.


Unë jam produkt i gazetarisë së shkruar. Gati 26 vjet në këtë profesion. E si unë, edhe shumë kolegë të tjerë në RTSH Sport dhe në televizione të tjera. Është e vështirë të bëhesh gazetar i mirë televiziv pa kaluar më parë nga shtypi i shkruar. Të paktën disa javë apo muaj. Sidomos për studentët e gazetarisë.


Gazeta sportive është histori, fakt, analizë, statistikë. Pa të, nuk ndërtohet as një bibliografi e thjeshtë. Por duket se sot kjo nuk ka më rëndësi.


Në sportin e sotëm ka ende nevojë për zëra kritikë, për analiza, për qasje të drejtpërdrejta. Përse të mos rikthehen emra si Fatmir Mëneri, Tritan Kokona, Bashkim Tufa! Emra që tashmë mund t’i gjesh vetëm në arkiva e biblioteka.


Sporti, pa shtyp të lirë, është bërë më i heshtur. Botuesit kursyen para, redaksitë u mbyllën, shumë profesionistë mbetën pa punë. Shqipëria është ndoshta i vetmi vend europian pa një gazetë sportive në print.


Në Itali dhe vende të tjera, gazeta mbi 100-vjeçare si La Gazzetta dello Sport, Tuttosport, Corriere dello Sport, L’Équipe, Marca etj., vazhdojnë ende të dalin çdo ditë në letër. E ne? Kalojmë gjithçka në PDF. Në kompjuter. Në telefon.


Askush nuk është kundër teknologjisë. Por gazeta në letër ka tjetër vlerë. E lexon në qetësi, me një kafe në dorë, në mëngjes ose gjatë ditës, pa u varur nga ekrani.


Më kujtohet një fjali nga një telekomedi e vjetër, “Pas një lajmi”: Fshati do lajme.Unë ende besoj në këtë.


Fshati, qyteti, lexuesi – duan lajme. Duan të shkruarën, sepse ajo mbetet. As radioja, as televizioni, e as rrjetet sociale nuk e zëvendësojnë dot boshllëkun e lënë nga gazetat.


Sikur të dilte një mendje e ndritur për të ndalur këtë rënie…

“KORÇA BOOM”



bottom of page